Heung-min Son thyen rekordet, transferimi më i shtrenjtë në historinë e MLS-së
Heung-min Son ka kompletuar një lëvizje historike drejt futbollit amerikan. Sulmuesi i njohur nga Koreja e Jugut është transferuar te Los Angeles FC, duke u bërë blerja më e shtrenjtë ndonjëherë në Major League Soccer (MLS).
Pas një dekade të kaluar te Tottenham Hotspur, ku u kthye në një ikonë për tifozët, Son nis një kapitull të ri në karrierën e tij në SHBA. LAFC ka paguar 22.5 milionë euro për 33-vjeçarin, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga Emmanuel Latte Lath (21.25 milionë euro nga Middlesbrough tek Atlanta United).
Me këtë transferim, Son lë pas edhe emra të tillë si Rodrigo De Paul (15 milionë te Inter Miami), Kevin Denkey (15.3 milionë te Cincinnati), dhe Hirving Lozano (12 milionë te San Diego).
Në radhët e Los Angeles FC, Son do të ribashkohet me ish-shokun e tij te Spurs, Hugo Lloris, dhe do të formojë një repart sulmues premtues me Denis Bouanga, Jeremy Ebobisse, Nathan Ordaz dhe spanjollin Sergi Palencia.
MLS po përjeton një valë të re të ‘yjeve’ botërorë, duke u shndërruar në një destinacion gjithnjë e më atraktiv, sidomos në prag të Botërorit 2026 në Amerikën e Veriut. Son i bashkohet një liste emrash të mëdhenj që përfshin Lionel Messin, Luis Suárezin, Sergio Busquetsin, Jordi Alban, Rodrigo De Paulin, Hirving Lozanon, Marco Reus, Emil Forsberg dhe shumë të tjerë. Son zbarkon në Hollywood jo vetëm si një ‘yll’ i fushës, por edhe si një fytyrë ikonike për të promovuar MLS-në në Azi dhe përtej.
10 transferimet më të shtrenjta në historinë e MLS:
- Heung-min Son – 22.5 mln € (Los Angeles FC)
- Emmanuel Latte Lath – 21.25 mln € (Atlanta United)
- Kévin Denkey – 15.3 mln € (Cincinnati)
- Rodrigo De Paul – 15 mln € (Inter Miami)
- Thiago Almada – 14.5 mln € (Atlanta United)
- Gonzalo “Pity” Martínez – 14.5 mln € (Atlanta United)
- Esequiel Barco – 12.2 mln € (Atlanta United)
- Hirving “Chucky” Lozano – 12 mln € (San Diego)
- Myrto Uzuni – 12 mln € (Austin FC)
- Brenner – 11.8 mln € (Cincinnati)