Gjermania në alarm/ Gjendet një bombë e pashpërthyer e Luftës së II Botërore, evakuohen mijëra njerëz
Pjesë të mëdha të Qytetit të Vjetër të Dresdenit u evakuuan të mërkurën, ndërsa ekspertët u përpoqën të çaktivizonin një bombë të pashpërthyer të Luftës së Dytë Botërore, e gjetur gjatë punës për pastrimin e një ure të shembur.
Autoritetet thanë se rreth 17,000 njerëzve iu kërkua të largoheshin nga shtëpitë e tyre në qytetin lindor të Gjermanisë.
Zona e prekur përfshin Frauenkirche-n e famshme, një kishë që u rindërtua tullë për tullë pasi u shkatërrua në luftë, si dhe disa hotele.
Ura Carola, një nga kalimet kryesore të lumit Elba në Dresden, u shemb pjesërisht në mes të natës në shtator 2024.
E gjithë struktura pritet të shembet deri në tetor.
Rreth 80 vjet pas luftës, Gjermania mbetet e mbushur me municione të pashpërthyera, shpesh të zbuluara gjatë punimeve të ndërtimit.
Mbi 20, 000 njerëz u evakuan nga qendra e Këlnit në qershor, pasi u gjetën tre bomba të pashpërthyera amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, operacioni më i madh i këtij lloji në qytet që nga fundi i luftës. Autoritetet e qytetit thanë se municionet e pashpërthyera të zbuluara ishin dy bomba amerikane 20-tonëshe dhe një bombë amerikane 10-tonëshe, secila me siguresa impakti.
Zemra e qytetit mbeti e shkretë, me një spital, dy azile për të moshuar, nëntë shkolla dhe një studio televizive të evakuuara.
Bomba e gjetur në Dresden ishte prodhim britanik dhe peshon 250 kilogramë, sipas autoriteteve të qytetit.
Bomba nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar në fushat e betejës dhe qytete anembanë botës ku u zhvilluan luftime, shpesh dekada pas përfundimit të luftës. Në mars, një bombë e Luftës së Dytë Botërore u gjet pranë shinave të stacionit Gare du Nord të Parisit.
Në shkurt, më shumë se 170 bomba u gjetën pranë një këndi lojërash për fëmijë në Anglinë veriore. Dhe në tetor 2024, një bombë e Luftës së Dytë Botërore shpërtheu në një aeroport japonez./ CBS News