Konflikti politik në Mal të Zi dhe kërcënimet: Presidenti Millatoviç dhe zëvendëskryeministri Gjeloshaj përfundojnë në Prokurori
Në Prokurorinë Themelore në Podgoricë janë marrë në pyetje zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç.
Autoritetet bëjnë me dije se dëshmitë u morën pas ankesës së Millatoviçit në polici, që akuzonte Gjeloshajn për dërgimin e mesazheve kërcënuese më 1 gusht.
Gjeloshaj mohoi para prokurorit çdo akuzë për kërcënim ndaj presidentit dhe sqaroi se është marrë në pyetje vetëm si qytetar.
“Më vjen keq që (Millatoviç) na futi në këtë cirk për qytetarët, për mua personalisht dhe për strukturën politike që përfaqësoj”, deklaroi Gjeloshaj.
Nga ana tjetër, Millatoviç tha se, përveç mesazheve tashmë të publikuara, “kërcënimet kanë vazhduar edhe nga persona të afërt me Gjeloshajn”.
“Është e papranueshme që presidenti të kërcënohet gjatë ushtrimit të detyrës. Çfarë duhet të presin gjyqtarët kur japin vendime, apo prokurorët kur ngritin aktakuza?”, u shpreh Millatoviç.
Mesazhet e kontestuara dhe sfondi i konfliktit
Mesazhet e përmendura nga Gjeloshaj ishin dërguar në ditën kur Millatoviç i kishte kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme – një nismë e partive shqiptare, përfshirë edhe Alternativën Shqiptare që drejtohet nga Gjeloshaj.
Pas këtij reagimi, nga partia e Gjeloshajt u dërgua një mesazh drejtuar presidentit se “nuk është më i mirëpritur në Malësi”.
Gjeloshaj, i cili ishte kryetar i komunës së Tuzit deri në vitin 2023, i cili është një qendër në rajonin e Malësisë me shumicë shqiptare, hodhi poshtë akuzat për kërcënim.
Presidenti Millatoviç i ka bërë thirrje kryeministrit Millojko Spajiç që të shkarkojë Gjeloshajn për shkak të kërcënimeve, por Qeveria dhe partitë e shumicës parlamentare ende nuk kanë reaguar.
Ku qëndron problemi?
Millatoviç riktheu për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme, duke argumentuar se ligji cenon barazinë kushtetuese të qytetarëve dhe vendos fermerët në pozita të pabarabarta, në varësi të komunës ku veprojnë.
Ai shtoi se ligji përfshin dispozita me fuqi prapavepruese, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi.
Nga kabineti i tij u theksua se reagimi i zëvendëskryeministrit Gjeloshaj mund të lidhet me mosmarrëveshjet gjyqësore mes Komunës së Tuzit dhe kompanisë shtetërore “13 Korriku Pllantazhe”, që kanë nisur në vitin 2019.
Në këtë kontest, Komuna e Tuzit kishte faturuar kompaninë për taksa mbi tokën bujqësore për periudhën trevjeçare, por gjykata vendosi në favor të “Pllantazhe”, duke i kërkuar komunës kthimin e shumës së mbledhur në mënyrë të paligjshme.
Ligji i ri u jep komunave të drejtën për të caktuar normën e tatimit mbi pasuritë e paluajtshme në territorin e tyre dhe parashikon që kjo të zbatohet edhe në mënyrë prapavepruese.
Partitë shqiptare që e propozuan ligjin thonë se qëllimi është një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave nga shfrytëzimi i territorit komunal.
Mesazhet e Gjeloshajt që po hetohen
Pas refuzimit të Millatoviç për të nënshkruar ligjin, Gjeloshaj i dërgoi mesazhe presidentit, të cilat ky i fundit i cilësoi si kërcënuese dhe i publikoi në platformën X (ish-Twitter).
Në njërin nga mesazhet thuhej: Nuk është dashur të futesh në këtë çështje. Tani prite reagimin e shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”.
Gjeloshaj mohoi publikisht kërcënimet dhe akuzoi Millatoviçin për refuzimin e ligjit për përfitime personale, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pas refuzimit erdhi reagimi i gjerë i partive dhe organizatave shqiptare në Mal të Zi.
Akuzat për veprime anti-shqiptare
Agron Dushaj, përfaqësues i Alternativës Shqiptare, e cilësoi refuzimin e presidentit si “diskriminim në bazë etnike dhe racizëm”.
“Do të ishte më mirë të të kishte sharë kumbarën në vend që të të shante e gjithë Malësia... dhe në Malësi më mirë mos u kthe, nuk do të të bëjë askush gjë, por nuk je i mirëpritur”, shkroi Dushaj në Facebook.
Një nga propozuesit e ligjit, Artan Çobi, theksoi se qëllimi i ndryshimeve është “një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave nga shfrytëzimi i territorit”.
Vizita e Gjeloshajt në SHBA pa miratim zyrtar
Më 18 korrik, Gjeloshaj zhvilloi takime në SHBA me drejtues të FBI-së dhe të dërguar specialë amerikanë, për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve.
Por kabineti i kryeministrit Spajiq theksoi se vizita nuk ishte miratuar nga Qeveria dhe u konsiderua si aktivitet privat.
Gjeloshaj e cilësoi të pavend këtë qëndrim dhe theksoi se ishte atje në cilësinë e zëvendëskryeministrit.
Një organizatë shqiptare në Nju-Jork akuzoi Millatoviçin për “veprimtari anti-shqiptare” dhe njoftoi se do ta informojë Kongresin amerikan dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ministria e Financave e Malit të Zi ka deklaruar se ligji për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme dëmton fermerët dhe duhet refuzuar.
Presidenti Millatoviç tha se Qeveria e dinte që ligji ishte antikushtetues, por e miratoi gjithsesi, duke e cilësuar këtë një veprim të papranueshëm.
Pavarësisht thirrjeve të Millatoviç për shkarkimin e Gjeloshajt, Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare.
Marrëdhëniet mes kryeministrit Spajiq dhe presidentit Millatoviç janë përkeqësuar që prej dy vitesh, pas ndarjes nga partia Lëvizja Evropa Tani.
Ata u bënë bashkë në qeverinë pas rrëzimit të pushtetit të Gjukanoviqit më 2020, dhe fituan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 2023-s.
Neću posustati ni pred kakvim pritiscima kada je Ustav, poštovanje zakona i interes građana i države u pitanju.
— Jakov Milatovic 🇲🇪🇪🇺 (@JakovMilatovic) August 1, 2025
Pa ni kada je u pitanju neprihvatljivo ponašanje potpredsjednika Vlade Crne Gore.
Ovo nije politika, ovo je pitanje dostojanstva institucija, pravne sigurnosti i… pic.twitter.com/d3AHPisJ90