Gana/ Rrëzohet helikopteri, humbin jetën dy ministra
Qeveria e Ganës njoftoi këtë të mërkurë për rrëzimin e një helikopteri ushtarak në rajonin Asanti, në jug të vendit, ku humbën jetën tetë persona.
Mes viktimave janë edhe dy ministra të kabinetit qeveritar: ministri i Mbrojtjes, Edward Omane Boamah dhe ministri i Mjedisit, Ibrahim Murtala Mohammed.
Lajmin e konfirmoi shefi i stafit të presidentit të Ganës, duke shtuar se tragjedia ka tronditur thellë institucionet shtetërore.
“Presidenti dhe qeveria shprehin ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre për familjet e bashkëpunëtorëve tanë dhe të ushtarëve që humbën jetën në shërbim të vendit,” deklaroi zyrtari ganez, Debrah.
Edward Omane Boamah, mjek në profesion, ishte emëruar ministër i Mbrojtjes në fillim të këtij viti nga presidenti John Mahama, menjëherë pas betimit të këtij të fundit në janar.
Emërimi i tij erdhi në një moment tensioni në kufirin verior të Ganës, për shkak të shtimit të aktiviteteve xhihadiste në Burkina Faso.
Më herët, ai kishte shërbyer si ministër i Komunikimeve gjatë mandatit të parë të Mahamas (2012–2017), si dhe si zëvendësministër i Mjedisit.
Në listën e viktimave përfshihen gjithashtu Alhaji Muniru Mohammed, zëvendëskoordinator i sigurisë kombëtare dhe ish-ministër i Bujqësisë, si dhe Samuel Sarpong, nënkryetar i partisë në pushtet, Kongresi Kombëtar Demokratik (NDC).
Sipas njoftimit të Forcave Ajrore të Ganës, helikopteri ushtarak u zhduk nga radarët pak pasi u nis nga Accra rreth orës 09:00 të mëngjesit, me destinacion qytetin Obuasi, në veriperëndim të kryeqytetit. Trupat e pajetë dhe mbetjet e helikopterit u lokalizuan disa orë më vonë.