Milinkoviç, me ambicie të mëdha te Partizani: Kam ardhur për titullin

Trajneri i ri i Partizanit, Mladen Milinkoviç, është prezantuar sot zyrtarisht në ambientet e stadiumit “Arena e Demave”. Në fjalët e tij të para për mediet, ai nuk i fshehu ambiciet: vjen për të fituar titullin kampion dhe për të rikthyer të kuqtë në majën e futbollit shqiptar.

“Kam ardhur për të fituar”

“Dua të falënderoj drejtorin për fjalët e mira dhe presidentin për mundësinë që të punoj në një klub kaq të madh siç është Partizani,” u shpreh Milinkoviç, i cili rikthehet në Shqipëri pas 8 vitesh. “Kur punon në një klub të madh, objektivi i vetëm është titulli. Kjo është arsyeja pse pranova ofertën.”

Trajneri serbo-boshnjak theksoi se përvoja e tij e fundit në Malin e Zi, ku fitoi dy tituj kampionë dhe një Kupë, ka qenë një nga arsyet që drejtuesit e Partizanit i besuan stolin.

Optimist pavarësisht kohës së shkurtër

Megjithëse sezoni nis pas dy javësh, Milinkoviç shprehet se nuk e sheh këtë si pengesë. “Të gjithë trajnerët duan më shumë kohë, por kemi një kalendar që na jep një shkëputje pas dy ndeshjeve të para, për shkak të kombëtareve. Kjo më jep mundësinë të bëj ndryshimet që dua.”

Për merkaton: “Fillimisht dua të njoh skuadrën”

Në lidhje me përforcimet e mundshme, trajneri u tregua i kujdesshëm. “Sot është dita e parë, fillimisht dua të shoh lojtarët që kemi. Ata që janë këtu e meritojnë dhe kanë cilësi. Më pas, në bashkëpunim me drejtorin, do të shohim se çfarë është e nevojshme.”