Zyrtare/ Partizani prezanton trajnerin e ri, një njohje e vjetër e Superiores

Klubi i Partizanit zyrtarizoi sot trajnerin e ri, pas mbërritjes së tij në orët e vona të natës në aeroport. Për shkak të orarit të vonshëm, prezantimi u shty për ditën e sotme në stadiumin “Arena e Demave”.

Pas negociatave të suksesshme, palët ranë dakord për nisjen e bashkëpunimit, duke vendosur kështu një kapitull të ri për klubin e kuq. Milinkoviç fitoi garën për stolin e trajnerit duke kaluar konkurrentët Françesko Moriero dhe Mario Cvitanoviç.

Ai është një dëshirë e vjetër e Partizanit, i cili vendosi ta besojë drejtimin e ekipit pas një sezoni të vështirë në garat europiane.

Trajneri serbo-boshnjak do të marrë menjëherë në dorë stërvitjen e ekipit të parë, i cili prej 25 korrikut ka qenë nën drejtimin e përkohshëm të Fatjon Muhametit.

Milinkoviç rikthehet në Kategorinë Superiore pas 8 vitesh, me një përvojë të mëparshme te Luftëtari dhe Kukësi. Përvoja e tij në futbollin shqiptar dhe rezultatet mbresëlënëse me Buduçnostin në Mal të Zi, ku arriti të shpallej kampion, kanë bindur drejtuesit e kuq për t’i besuar stolin.