Harvey Elliott drejt Leipzig-ut, Liverpool hap derën për shitjen, marrëveshje për 65 milionë euro

Klubi gjerman i Leipzig-ut po përgatitet të bëjë një goditje të rëndësishme për të forcuar repartin ofensiv, duke negociuar me Liverpoolin për transferimin e talentit anglez, Harvey Elliott, i lindur në vitin 2003. Elliott shihet si zëvendësuesi ideal i Xavi Simons, i cili është gjithnjë e më pranë një kalimi te Chelsea.

Sipas medieve britanike, Liverpool-i ka vendosur dy kushte për shitjen e mesfushorit ofensiv: një ofertë prej 55 milionë eurosh me të drejtë riblerjeje ose 65 milionë euro pa asnjë klauzolë rikthimi. Kjo kërkesë reflekton potencialin e lartë të futbollistit, të cilin “të Kuqtë” nuk duan ta humbasin përgjithmonë pa mundësinë e rikthimit të tij në Anfield në të ardhmen.

Elliott, i cili u shpall lojtari më i mirë në Kampionatin Europian për Under 21, është i vendosur të bëjë një hap cilësor në karrierën e tij. Megjithëse ka aftësi teknike dhe mund të luajë në pozicione të ndryshme në mesfushë dhe sulmues, ai ka gjetur pak hapësirë në Premier League sezonin e fundit, duke qenë titullar vetëm në dy ndeshje. Kjo e ka shtyrë atë të kërkojë më shumë minutazh diku tjetër.

Leipzig-u, i njohur për fokusin te talentet, synon të nisë një cikël të ri me Elliott-in. Pas suksesit me lojtarë si Nkunku, Szoboszlai dhe Gvardiol, klubi gjerman dëshiron të transformojë edhe talentin anglez në një ‘yll’ të ardhshëm të futbollit europian.