Italia miraton projektin për urën mbi Ngushticën e Messinës: Do të jetë ura e varur mbi det më e gjatë në botë
Nga Alba Kepi
Italia ka miratuar projektin për ndërtimin e urës mbi Ngushticën e Messinës, një vepër kolosale infrastrukturore me kosto mbi 13 miliardë euro, financuar nga buxheti i shtetit. Kjo urë do të lidhë rajonin e Kalabrisë me Sicilinë dhe do të transformojë rrjetin e transportit në jug të Italisë.
Në mbledhjen e sotme në selinë e qeverisë italiane, Komiteti Ndërministror për Programimin Ekonomik dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm (CIPESS) miratoi projektin përfundimtar të urës, e cila do të jetë ura e varur mbi det më e gjatë në botë.
Ura do të ketë një gjatësi totale prej 3,666 metrash, me një segment të vetëm të varur prej 3,300 metrash, duke vendosur një rekord të ri infrastrukturor global. Në të dyja brigjet do të ngrihen dy kulla mbështetëse nga 399 metra të larta, ndërsa lartësia e urës mbi nivelin e detit do të jetë 72 metra, për të lejuar kalimin e anijeve të mëdha.
Kostoja e përgjithshme e projektit arrin në 13.532 miliardë euro, të cilat do të mbulohen plotësisht nga buxheti i shtetit falë alokimeve në ligjet financiare të viteve 2024 dhe 2025.
Kryeministrja Giorgia Meloni, në një deklaratë pas miratimit, e cilësoi këtë vendim si një “projekt strategjik kombëtar që do të ndryshojë përgjithmonë fatin ekonomik dhe logjistik të Jugut dhe të gjithë Italisë.”