Takimi i zyrtarëve/ Rusia: Putin dhe Witkoff zhvilluan bisedime të dobishme dhe konstruktive!

I dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilloi bisedime "të dobishme dhe konstruktive" me presidentin rus Vladimir Putin të mërkurën, tha një ndihmës i Kremlinit, dy ditë para skadimit të afatit të caktuar nga Presidenti Donald Trump që Rusia të binte dakord për paqe në Ukrainë ose të përballej me sanksione të reja.

Witkoff u takua me Putinin për rreth tre orë në një mision të minutës së fundit për të kërkuar një zgjidhje të shpejtë në luftën 3-vjeçare e gjysmë që filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se të dyja palët kishin shkëmbyer "sinjale" mbi çështjen e Ukrainës dhe kishin diskutuar mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit strategjik midis Moskës dhe Uashingtonit, por nuk pranoi të jepte më shumë detaje derisa Ëitkoff t'i raportonte Trumpit.

I dërguari rus i investimeve, Kirill Dmitriev, i cili më parë e përshëndeti Witkoff-in me të mbërritur dhe shëtiti me të në një park pranë Kremlinit, postoi në mediat sociale: "Dialogu do të triumfojë".

Nuk pati komente të menjëhershme nga pala amerikane.

Trump, gjithnjë e më i frustruar me Putinin për mungesën e përparimit drejt paqes, ka kërcënuar të vendosë tarifa të rënda për vendet që blejnë eksporte ruse.

Ai po ushtron presion të veçantë mbi Indinë, e cila së bashku me Kinën është një blerëse e madhe e naftës ruse. Kremlini thotë se kërcënimet për të penalizuar vendet që tregtojnë me Rusinë janë të paligjshme.

Nuk ishte e qartë se çfarë mund t’i ofronte Rusia Witkoff-it, për të shmangur kërcënimin e Trump-it.

Ushakov, i cili ishte i pranishëm, i tha gazetës ruse Zvezda: "Patëm një bisedë shumë të dobishme dhe konstruktive."

Ai shtoi: “Nga ana jonë, veçanërisht për çështjen ukrainase, u transmetuan disa sinjale. Sinjale përkatëse u morën edhe nga Presidenti Trump.”

Bloomberg dhe media e pavarur ruse e lajmeve The Bell raportuan se Kremlini mund të propozojë një moratorium për sulmet ajrore nga Rusia dhe Ukraina - një ide që u përmend javën e kaluar nga Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko gjatë një takimi me Putinin.

Një veprim i tillë, nëse bihet dakord, do të ishte shumë larg armëpushimit të plotë dhe të menjëhershëm që Ukraina dhe SHBA-të kanë kërkuar prej muajsh. Por do të ofronte njëfarë lehtësimi për të dyja palët.

Që kur të dyja palët rifilluan bisedimet e drejtpërdrejta për paqe në maj, Rusia ka kryer sulmet e saj më të rënda ajrore të luftës, duke vrarë të paktën 72 persona vetëm në kryeqytetin Kiev. Trump javën e kaluar i quajti sulmet ruse "të neveritshme".

Ukraina vazhdon të godasë rafineritë dhe depot ruse të naftës, të cilat i ka goditur shumë herë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha të mërkurën se Rusia kishte sulmuar një stacion pompimi gazi në jug të Ukrainës, në atë që ai e quajti një goditje të qëllimshme dhe cinike ndaj përgatitjeve për sezonin e ngrohjes dimërore. Rusia tha se kishte goditur infrastrukturën e gazit që furnizon ushtrinë ukrainase.

Andriy Yermak, shefi i stafit të Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha të mërkurën se kërkohej një armëpushim i plotë dhe një samit i liderëve. "Lufta duhet të ndalet dhe për momentin kjo i takon Rusisë", shkroi ai në Telegram.

'PËRPJEKJE E FUNDIT'

Putini nuk ka gjasa t’i përulet ultimatumit të sanksioneve të Trumpit, sepse beson se po fiton luftën dhe qëllimet e tij ushtarake kanë përparësi mbi dëshirën e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në, thanë për Reuters tre burime pranë Kremlinit.

"Vizita e Witkoff është një përpjekje e fundit për të gjetur një zgjidhje që do t'u shpëtonte fytyrën të dyja palëve. Megjithatë, nuk mendoj se do të ketë ndonjë kompromis midis të dyjave", tha Gerhard Mangott, një analist austriak dhe anëtar i një grupi akademikësh dhe gazetarësh perëndimorë që janë takuar rregullisht me Putinin gjatë viteve.

“Rusia do të këmbëngulë se është e përgatitur të ketë një armëpushim, por (vetëm) sipas kushteve që ka formuluar gjatë dy ose tre viteve të fundit”, tha ai në një intervistë telefonike.

"Trump do të jetë nën presion për të bërë atë që ka njoftuar - të rrisë tarifat për të gjitha vendet që blejnë naftë dhe gaz, dhe ndoshta edhe uranium, nga Rusia."

Burimet ruse i thanë Reuters se Putin ishte skeptik se sanksione të tjera të SHBA-së do të kishin një ndikim të madh pas valëve të njëpasnjëshme të ndëshkimeve ekonomike gjatë 3 viteve e gjysmë të luftës.

Udhëheqësi rus nuk dëshiron ta zemërojë Trumpin dhe e kupton se mund të jetë duke e refuzuar një shans për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Perëndimin, por qëllimet e tij të luftës janë më të rëndësishme për të, thanë dy nga burimet.

Kushtet e Putinit për paqe përfshijnë një premtim ligjërisht të detyrueshëm se NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes, neutralitetin e Ukrainës, mbrojtjen e rusishtfolësve dhe pranimin e përfitimeve territoriale të Rusisë në luftë, thanë burimet ruse.

Zelenskiy ka thënë se Ukraina nuk do ta njohë kurrë sovranitetin e Rusisë mbi rajonet e saj të pushtuara dhe se Kievi mban të drejtën sovrane, për të vendosur nëse dëshiron të bashkohet me NATO-n.

Ëitkoff, një miliarder i pasurive të paluajtshme, nuk kishte përvojë diplomatike përpara se t'i bashkohej ekipit të Trump në janar, por është ngarkuar njëkohësisht me kërkimin e armëpushimeve në luftërat e Ukrainës dhe Gazës, si dhe me negociatat për krizën mbi programin bërthamor të Iranit./ Reuters.