Asllani dhe Taremi, dy çështje të pazgjidhura, dilema mes shitjeve dhe huazimeve
Teksa merkatoja verore po hyn në fazën vendimtare, Interi përballet me dy çështje të pazgjidhura që po pengojnë qartësinë në strategjinë e afrimeve: ajo e Kristjan Asllanit dhe Mehdi Taremit. Dy lojtarë jashtë planeve teknike të klubit, por me situata krejt të ndryshme. Mes refuzimeve të njëpasnjëshme nga ana e Asllanit dhe pritjes së Taremit për një destinacion europian, zikaltrit rrezikojnë të mbeten me dy "valixhe të papaketuara" që po u rëndojnë bilancin sportiv dhe financiar.
Për Asllanin kanë ardhur oferta konkrete, më e rëndësishmja ishte ajo e Betis Sevilla, rreth 15 milionë euro. Sidoqoftë, deri më tani ai i ka refuzuar të gjitha ofertat e marra, e fundit ajo nga Sassuolo. Asllani dëshiron të qëndrojë në Itali, por synon një klub të nivelit mesatar e lart, që luan në Kupat e Europës. Ja pse po pret ende që Bologna dhe Fiorentina të hedhin hapin përpara, duke konkretizuar interesimin e muajit të kaluar.
Megjithatë Interi, që synon të përfitojë financiarisht nga shitja e tij, po frikësohet gjithnjë e më shumë se me kalimin e kohës nuk do të mund të arrihet veçse një marrëveshje për huazim me të drejtë blerjeje. Formulë, pikërisht, që nuk preferohet.
Nuk mund të thuhet se ka pakënaqësi, por padyshim situata po bëhet çdo ditë e më delicate. Eurot që klubi shpresonte të merrte nga shitja e Asllanit do të duheshin përdorur sa më parë për të rritur fondin e nevojshëm të operacioneve hyrëse, përfshirë atë që lidhet me Leoni.
Për Taremin, nga ana tjetër, situata është disi ndryshe. Më saktë, iraniani nuk do ta kishte refuzuar një ofertë si ajo spanjolle që erdhi për Asllanin. Në pritje të rikthimit në Itali, ai i ka bërë të ditur Interit se nuk do ta kundërshtojë largimin e tij, me të vetmin kusht që të vazhdojë të luajë në Europë, prej nga vijnë edhe refuzimet ndaj Flamengo dhe Botafogo.
Për momentin, përveç disa “sondazheve” nga Premier League, klubi që ka shfaqur më shumë interes për Taremin ka qenë Besiktas. Interi e vlerëson kartonin e tij ndërmjet 8 dhe 10 milionë euro, por ndryshe nga rasti i Asllanit, mund të bindet në fund edhe për një huazim, duke u liruar kështu gjithsesi nga barra e një page relativisht të lartë.