SYRI TV/ Lushnje, kryebashkiakja e Ramës sharron pemët në rrugë, Korreshi: Ky veprim është një krim mjedisor
Jo vetëm tendat dhe karriget e lokaleve, por në Lushnjë, me porosi të Edi Ramës, kryebashkiakja Eriselda Sefa po liron rrugët dhe trotuaret edhe nga pemët dhe lulet. Me një akt të paprecedent, kryebashkiakja ka urdhëruar Policinë Bashkiake dhe Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit të presin pemët që janë mbjellë nga qytetarët dhe bizneset. Një prej situatave u denoncua nga deputeti Sajmir Korreshi, ndërsa nga një vëzhgim i Syri TV, faktohet se prerja e pemëve po ndodh në çdo rrugë dhe lagje të Lushnjës.
Urdhëri i Edi Ramës për prishjen e ndërtimeve pa leje nuk po kursen edhe pemët frutore e dekorative të mbjella nga qytetarët. Një rast skandaloz është evidentuar këtë të martë në qytetin e Lushnjës ku IKMT dhe policia bashkiake e këtij qyteti, me urdhër të Eriselda Sefës, po presin të gjitha pemët të cilat janë në anë të rrugës.
Pemët e lulet dekorative qëndrojnë në këto hapësira prej gati një dekade, ku në mungesë të hapësirave të gjelbëruara qytetarët i kanë mbjellë këto bimë duke i dhënë sadopak oksigjen betonit që rrethon çdo cep të qytetit të Lushnjës.
Vendimit skandaloz të kryebashkiakes Sefa i janë kundërpërgjigjur qytetarët lushnjarë ku bashkë me ta ka qenë edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi. Ata kanë ndaluar masakrën mjedisore duke bërë të mundur pezullimin e veprimeve arbitrare të Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe Policisë Bashkiake të Lushnjës.
Prej disa ditësh IKMT dhe policia bashkiake ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje si tenda apo edhe ambiente të cilat kanë zënë hapësirat publike, por ky rast skandaloz në qytetin e Lushnjës nuk është evidentuar më herët.