'E popullit, jo e politikës'/ Protestë për RTK-në: Punonjësit kërkojnë buxhet për transmetuesin publik
“Pa RTK s’ka zë të qytetarëve”, “RTK është e popullit, jo e politikës”, “Gazetar pa pagë, demokraci pa zë” – këto ishin disa nga parullat që u dëgjuan sot në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës përballë Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës.
Protesta erdhi si reagim ndaj mosalokimit të pjesës së dytë të buxhetit për RTK-në për vitin 2025, gjë që ka vënë në rrezik serioz funksionimin e vetmit transmetues publik në vend. Sipas Sindikatës, mungesa e fondeve ka ardhur si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së Komisionit Parlamentar për Buxhet, organi që duhet të miratojë ndarjen e mjeteve, shkruan DW.
Buxheti vjetor i RTK-së është 8.9 milionë euro, dhe vonesat në alokim kanë krijuar krizë financiare që, sipas punonjësve, rrezikon punën e qindra profesionistëve të medias dhe informimin e publikut.
Kryetari i Sindikatës së RTK-së, gazetari Gëzim Bimbashi, deklaroi se protesta synon të mbrojë RTK-në si institucion publik, pa asnjë prapavijë politike: “Kjo është për mbrojtjen e dinjitetit të gazetarëve dhe për të garantuar të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur”.
Ndërkohë, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, theksoi mbështetjen e plotë për punonjësit e RTK-së dhe kritikoi autoritetet për situatën e krijuar, të cilën e quajti të shmangshme.
Thirrje për zgjidhje kanë bërë edhe organizata vendore dhe ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve, përfshirë Avokatin e Popullit dhe Bashkimin Evropian, të cilët kërkojnë sigurimin e një financimi të qëndrueshëm dhe të pavarur për transmetuesin publik.
RTK, si institucion i pavarur mediatik, konsiderohet kyç për garantimin e transparencës, pluralizmit dhe llogaridhënies në shoqërinë kosovare./ DW Shqip