Parandalohet tragjedia në Krujë, arrestohet 41-vjeçari që kanoste me kallashnikov familjarët
Një ngjarje kriminale është parandaluar këtë të mërkurë në një familje në fshatin Qerekë.
Policia e Krujës bën të ditur se në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 5, reaguan menjëherë pasi u njoftuan se një 41-vjeçar, shtetasi E. V., po kanoste familjarët e tij me armë zjarri kallashnikov në banesën e tyre.
Policia organizoi dhe ndërmori veprime të shpejta, duke arrestuar në flagrancë autorin e kërcënimit. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan tre armë: një kallashnikov dhe dy armë gjahu.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon ngjarje kriminale në një familje në fshatin Qerekë.
Arrestohet një 41-vjeçar që kanoste për jetën, familjarët e tij.
Në banesën e tij, u gjetën 3 armë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, sapo janë njoftuar se një shtetas po kanoste me armë zjarri kallashnikov, familjarët, në banesën e tyre, në fshatin Qerekë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve policore profesionale, u vu në pranga autori i rastit, shtetasi E. V., 41 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se kanosi familjarët, si dhe 2 armë gjahu.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.