Trump ngushton kandidatët për krye të Rezervës Federale në katër, duke përjashtuar Sekretarin e Thesarit Bessent

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, nuk është më në listën e ngushtë të kandidatëve për të udhëhequr Rezervën Federale.

Në një intervistë për CNBC, Trump tha se Bessent ka zgjedhur të qëndrojë në postin aktual dhe për këtë arsye nuk do të merret më në konsideratë për të zëvendësuar Jerome Powell-in si kryetar i FED-it.

“E dua Scott-in, por ai dëshiron të qëndrojë aty ku është,” deklaroi Trump në emisionin “Squawk Box”, ndërsa bëri të ditur se ka ngushtuar listën në katër emra.

Në mesin e kandidatëve të mbetur janë Kevin Hassett, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, dhe Kevin Warsh, ish-anëtar i Bordit të Guvernatorëve të FED-it. “Mendoj se Kevin dhe Kevin, të dy Kevinë, janë shumë të mirë,” shtoi presidenti.

Trump nuk zbuloi identitetin e dy kandidatëve të tjerë, por theksoi se një vendim pritet të merret brenda kësaj jave.

Presioni mbi FED-in dhe sfida ndaj pavarësisë së saj

Trump ka qenë hapur kritik ndaj kryetarit aktual të FED-it, Jerome Powell, duke e akuzuar për reagim të vonuar në uljen e normave të interesit dhe për menaxhim të dobët të projektit të rinovimit të institucionit me vlerë 2.5 miliardë dollarë. Edhe pse mandati i Powell përfundon në maj 2026, Trump ka sugjeruar se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të tij, pavarësisht se një vendim i fundit i Gjykatës Supreme e lejon këtë vetëm nëse ka “shkak të justifikuar”.

Presidenti ka shtuar presionin publik mbi FED-in, duke ngritur pyetje serioze mbi pavarësinë e saj institucionale.

Dorëheqja e papritur krijon mundësi

Të premten e kaluar, guvernatorja e Rezervës Federale, Adriana Kugler, njoftoi dorëheqjen e saj, një zhvillim që Trump e përshkroi si “një surprizë të këndshme”. Ai konfirmoi se ekziston mundësia që zgjedhja e tij për të zëvendësuar Kugler-in të jetë njëkohësisht kandidati i tij për të pasuar edhe Powell-in në krye të FED-it.

“Do ta marr këtë vendim para fundit të javës,” tha Trump.

Kush janë dy kandidatët e përmendur?

Kevin Hassett është një nga figurat më besnike të administratës Trump. Ai ka mbajtur më parë postin e kryetarit të Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë dhe është aktualisht drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar. I njohur për qëndrimet e tij konservatore në fushën e ekonomisë, Hassett ka mbështetur fuqimisht politikat fiskale të Trump, përfshirë uljen e taksave dhe tarifat tregtare. Së fundmi, ai mbështeti edhe shkarkimin e komisioneres së Byrosë së Statistikave të Punës, një vendim që shkaktoi debat në Uashington.

Kevin Warsh, ndërkohë, ka qenë një kritik i zëshëm i politikës monetare të FED-it nën drejtimin e Powell-it. Ai ka propozuar ndryshime të thella strukturore në marrëdhënien mes Thesarit dhe FED-it, duke rikujtuar modelin e vitit 1951. Warsh ka kërkuar një “ndryshim regjimi” në drejtimin e politikave monetare dhe e ka quajtur hezitimin e FED-it për të ulur normat “një shenjë dobësie”.