Napoli ndjek nga afër situatën e Jack Grealish, por City nuk ka ndryshuar kurs

Ndërsa Napoli vazhdon të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri dhe të përforcojë grupin për të mbrojtur titullin kampion të Serisë A, vjen një zhvillim i rëndësishëm rreth një prej objektivave të merkatos: Jack Grealish. Sipas ‘Gazzetta.it’, mesfushori ofensiv anglez është rikthyer në stërvitje me Manchester City-n në ‘Etihad Campus’, në një seancë me dyer të hapura për tifozët dhe medien.

30-vjeçari, i cili prej muajit qershor e ka të qartë se nuk është më në planet e Pep Guardiolës, madje as nuk u grumbullua për Botërorin e Klubeve, ka qenë në vëmendjen e klubit napolitan si një mundësi e artë në treg. Megjithatë, pozicioni i Manchester City-t nuk ka ndryshuar: anglezët kërkojnë ta shesin lojtarin përfundimisht, në një operacion që do të kushtojë të paktën 45–50 milionë euro.

Rikthimi i Grealish në stërvitje me skuadrën është shoqëruar me entuziazëm nga tifozët e City-t, të cilët e përshëndetën ngrohtësisht gjatë daljes së tij në fushë krah për krah me shokët e skuadrës si Phil Foden, Rodri dhe sidomos Erling Haaland, me të cilin ndan një miqësi të veçantë. Një foto grupi e bërë me Haaland-in tregon se Grealish po tenton të ruajë frymën e grupit në një moment të paqartë për të.

Ndërkohë, Napoli është shumë pranë finalizimit të transferimit të mbrojtësit spanjoll Miguel Gutierrez nga Girona. Marrëveshja me klubin është pothuajse mbyllur për një shumë prej 18 milionë eurosh plus 2 milionë bonuse, ndërsa pritet vetëm dakordësimi i fundit me lojtarin për një kontratë pesëvjeçare me 2.3 milionë euro në sezon.

Në pritje të zhvillimeve të mëtejshme me Grealish, Napoli vazhdon të lëvizë me vendosmëri në merkato.