Chelsea prezanton talentin e madh brazilian, u shënoi bluve në Botërorin e Klubeve
Chelsea mirëpret përforcimin më të ri në radhët e saj, Estevão. Talenti brazilian ka mbërritur tashmë në qendrën stërvitore të klubit në Cobham, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij si “Blu”.
Pas një pritjeje prej 14 muajsh, që nga momenti kur u zyrtarizua marrëveshja me Palmeirasin, Estevão më në fund bashkohet me kampionët e botës pas mbushjes së moshës 18-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, ai u shndërrua në një element kyç të formacionit të Palmeirasit, duke debutuar gjithashtu me kombëtaren e parë të Brazilit në muajin shtator.
Që atëherë, ai ka regjistruar edhe katër paraqitje të tjera me Brazilin dhe ka përfaqësuar Palmeirasin në Kupën e Botës për Klube këtë verë. Ironikisht, në çerekfinalet e atij turneu, ai shënoi ndaj Chelsea-t, por nuk arriti të ndalte rrugëtimin e klubit anglez drejt titullit botëror.
Tani, Estevão i është bashkuar skuadrës së Chelsea-t për fazën përgatitore të sezonit 2024/25. Ai vjen me një përvojë të konsiderueshme, pasi ka zhvilluar 83 ndeshje me ekipin e parë të Palmeirasit dhe është aktivizuar në eliminatoret e Botërorit me Brazilin.
Në deklaratën e tij të parë si lojtar i Chelseat, Estevão u shpreh:
“Jam shumë i lumtur. Është një ndjenjë shpërblyese të përfaqësosh Chelsea-n, një nga klubet më të mëdha në botë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Ai shtoi:
“Kam pritur thuajse një vit e gjysmë për të mbërritur këtu. Gjatë kësaj kohe kam punuar fort për të qenë në formën më të mirë të mundshme. Jam shumë i emocionuar, kjo është një fazë e re në jetën time dhe mezi pres të fillojë.”