Bangladeshi shpall zgjedhjet e para që pas rrëzimit të ish-kryeministres: Të gjithë do të votojmë

Bangladeshi do të mbajë zgjedhjet e para që kur protestat rrëzuan ish-kryeministren e vendit nga detyra.  Udhëheqësi i përkohshëm i vendit, Muhammad Yunus e bëri njoftimin në fund të një dite festimesh për atë që disa e kanë quajtur "çlirimi i dytë" i vendit.

Sheikh Hasina iku në Indi më 5 gusht të vitit të kaluar, pas disa javësh protestash të udhëhequra nga studentët, duke i dhënë fund 15 viteve të një sundimi gjithnjë e më autoritar. Yunus, u emërua në krye të një qeverie teknike disa ditë më vonë, duke premtuar reforma të cilat disa thonë se ai ka pasur vështirësi t’i zbatojë mes trazirave të vazhdueshme politike dhe një lufte për të ruajtur rendin dhe ligjin.

Ndër çështjet që kanë ndarë politikanët e vendit ka qenë data e zgjedhjeve. Yunus fillimisht sugjeroi qershorin e vitit 2026 si një datë të mundshme. Megjithatë, përfaqësuesit e Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP), si dhe të partisë islamiste Jamaat-e-Islami dhe të Partisë Kombëtare Qytetare (NCP) të udhëhequr nga studentët, iu bashkuan të gjithë Yunusit në skenë në kryeqytetin Daka të martën.

Më vonë, Yunus tha se do t’i shkruante Komisionit Zgjedhor për të kërkuar që votimi të mbahej “para Ramazanit në shkurt 2026”.

"Për shumë vite, askush prej nesh nuk ka mundur të votojë", tha 85-vjeçari në një transmetim televiziv. "Këtë herë, të gjithë do të votojmë. Askush nuk do të lihet jashtë. Le të jemi të gjithë në gjendje të themi: 'Unë e hodha votën time për ta vendosur vendin në rrugën e ndërtimit të një Bangladeshi të ri'."

Të martën, Yunus përsëriti premtimet për reforma të gjera, duke lexuar "Deklaratën e Korrikut", e cila kërkon të njohë në kushtetutë protestat e udhëhequra nga studentët që rrëzuan Hasinën.

Periudha e Hasinës në detyrë u shënua nga akuza të përhapura për shkelje të të drejtave të njeriut dhe vrasje e burgosje të rivalëve politikë. Anëtarët e qeverisë së Lidhjes Awami i shtypën pa mëshirë disidentët.  Por ishte protesta e udhëhequr nga studentët kundër një sistemi kuotash për vendet e punës në shërbimin civil, e cila u përshkallëzua në thirrje që qeveria të tërhiqej në korrik dhe gusht 2024, që përfundimisht e shtyu Hasinën të largohej.

Qeveria u shemb dhe Lidhja Awami që atëherë është ndaluar. Analistët vërejnë se qindra mbështetës të Lidhjes Awami janë ndaluar pa gjyq gjatë 12 muajve të fundit. Hasina vetë është aktualisht në gjyq në mungesë në Bangladesh, pasi ka refuzuar të kthehet për t'u përballur me akuzat që përbëjnë krime kundër njerëzimit, të lidhura me shtypjen vdekjeprurëse të protestuesve që la qindra të vdekur. Ajo i mohon akuzat e ngritura ndaj saj.