Nuk është shaka/ Trump kandidon në një qytet gjerman për AfD-në

Nga Dennis Dreher, BILD

Ka shumë fansa të presidentit amerikan në AfD.

Por tani partia po shkon një hap më tej dhe po hyn në zgjedhjet lokale me emrin e njohur Trump.

Nga ajo që dihet për Donald Trump, vështirë se ai do të ndjehej rehat në Duisburg-Alt-Hamborn. Ai vjen nga një familje e pasur biznesmenësh dhe është rritur në një shtëpi private në lagjen Queens të Nju Jorkut.

Mbi të gjitha, Trump ka një pasion për luksin e tepruar, i simbolizuar më së miri nga Trump Tower-in i artë në Manhattan. Diçka e tillë nuk ekziston në Alt-Hamborn. Por atje ka një poster të AfD-së lokale që po shpërndahet shumë në platformën "X": "Një Trump për Duisburg-un", shkruhet në poster.

"Posteri është i vërtetë", konfirmon partia për BILD.

Në të shfaqet Monique Trump, 21 vjeç, e cila kandidon në vendin e 13-të të listës së AfD-së për zgjedhjet lokale në shtator. Me këtë pozicion, shanset e saj për të hyrë në këshillin bashkiak janë mjaft të mira.

Ideja për fushatën ka ardhur prej saj vetë, thotë kandidatja Trump. A është e afërt me presidentin amerikan?

E paqartë: "Nuk kam bërë kurrë kërkime për prejardhjen familjare".

Të paktën politikisht, maturantja duket se ka simpati për mbiemrin e saj të famshëm.

Sipas saj, ajo është gjithashtu kundër "masave të tepruara për mbrojtjen e klimës".

Po çfarë thotë kundërshtari politik për Trump-in e AfD-së?

Jürgen Edel, nënkryetar i grupit parlamentar të SPD-së në këshillin bashkiak të Duisburgut, thotë: "Nuk e njoh ende. Por në fushatën zgjedhore po përpiqemi t'u bëjmë qytetarëve të qartë se, edhe pse AfD ngre disa probleme, zgjidhjet që ofron janë përgjithësime që nuk mund të zbatohen në praktikë".

E qartë është: gara për vendet në këshillin bashkiak pritet të jetë interesante. Historikisht, Duisburgu ka qenë një bastion i SPD-së. Deri në vitet 2000, partia arrinte rezultate mbi 60 për qind në këtë qytet. Por në vitet e fundit, shumë votues janë zhvendosur djathtas, dhe në zgjedhjet e fundit për votën e dytë në zonën zgjedhore Duisburg II në vitin 2025, SPD ishte vetëm pak përpara (25,3%) në krahasim me AfD-në (24,8%).