Ruanda do të presë 250 emigrantë të dëbuar nga SHBA-ja

Qeveria e Ruandës njoftoi sot për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se është dakorduar të pranojë deri në 250 emigrantë të dëbuar nga SHBA, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur me Uashingtonin.

Megjithatë, autoritetet nuk dhanë ndonjë afat të saktë për fillimin e këtij procesi.

Në muajt e fundit, SHBA-ja ka nisur një fushatë masive dëbimesh dhe po negocion kushte shumë të diskutueshme për transferimin e emigrantëve nga territori i saj në vende të treta.

Zëdhënësja qeveritare e Ruandës, Yolande Makolo, shpjegoi se: “Ruanda ka rënë dakord me SHBA-në të pranojë deri në 250 emigrantë, kryesisht sepse pothuajse të gjitha familjet në Ruanda kanë përjetuar vështirësitë e zhvendosjes dhe vlerat tona shoqërore bazohen në rindërtimin dhe riintegrimin e njerëzve”.

Një marrëveshje e ngjashme ishte firmosur më parë me Britaninë e Madhe, por u anulua në vitin 2024 nga qeveria e re britanike pas kritikave të ashpra publike.

Makolo shtoi se sipas kësaj marrëveshjeje, Ruanda ka të drejtën të aprovojë çdo person që propozohet për riatdhesim, por nuk dha detaje të mëtejshme për afatet, përkatësinë kombëtare të emigrantëve apo për përfitimet që do të marrë vendi i saj.

Do t’ju informojmë më shumë sapo të kemi detaje të qarta,” tha ajo në një përgjigje me shkrim për AFP.

Në muajin e kaluar, autoritetet e Sudanit të Jugut morën në përgjegjësi një grup prej tetë emigrantësh të dëbuar nga SHBA-ja, nga të cilët vetëm një ishte shtetas i atij vendi. Në korrik, pesë persona nga Azia dhe Karaibet, të dëbuar nga SHBA-ja për shkak të mungesës së dokumenteve të rregullta, u dërguan në Esuatini, një shtet i vogël në Afrikën e Jugut, pasi vendet e tyre refuzuan t’i pranojnë.

Ruanda përballet me kritika për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe është nën presion në lidhje me përfshirjen e saj në konfliktin e armatosur në Republikën Demokratike të Kongos.

Sa i përket marrëveshjes migratore mes Kigali-t dhe Londrës, Gjykata e Lartë britanike kishte vendosur se dërgimi i emigrantëve në Ruandë ishte i paligjshëm, pasi i ekspozonte ata ndaj rrezikut real të keqtrajtimit.