Pse Trump theu heshtjen strategjike për pozicionimin e nëndetëseve bërthamore
Nga Morgan Phillips dhe Diana Stancy, FOX NEWS
Presidenti Donald Trump kohët e fundit theu heshtjen strategjike prej dekadash kur zbuloi publikisht ripozicionimin e nëndetëseve bërthamore amerikane si një paralajmërim të kamufluar për Rusinë.
Njoftimi — i drejtuar zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-presidentit Dmitry Medvedev pas kërcënimeve të tij të fundit bërthamore — shkaktoi tronditje në botën e mbrojtjes jo vetëm për provokimin, por edhe për faktin se u tha hapur.
Presidentët prej kohësh lëvizin asetet ushtarake si anijet e luftës dhe bombarduesit për të treguar vendosmërinë. Por nëndetëset, sidomos ato bërthamore, rrallë përmenden.
“Ne rrallë, ose asnjëherë nuk flasim për lëvizjet e nëndetëseve, përveç në rastin e një aksidenti të pakundërshtueshëm,” tha për Fox News Gene Moran, ish-kapiten i marinës dhe këshilltar strategjik në Pentagon.
Shumë asete të tjera ushtarake — bateritë Patriot, aeroplanmbajtëset, madje edhe bombardues B-52 — dërgohen në mënyrë publike për të përçuar një mesazh diplomatik. Por këtë herë, natyra sekrete e pozicionimit të nëndetëseve bërthamore mund të ketë qenë arsyeja e zgjedhjes.
“Vendosjet e nëndetëseve janë të paarritshme për verifikim,” tha Moran. “Kjo u jep atyre vlerë strategjike, por edhe e bën këtë njoftim të zgjuar — nëse synon një titull në media”.
Zv. Admirali Mike Connor, ish-komandant i forcave nëndetëse amerikane, tha se deklarata e Trump mund të tingëllonte e guximshme, por në fakt ishte në përputhje me doktrinën e njohur.
“Ai në të vërtetë nuk dha shumë informacione,” tha Connor, i cili tani është CEO i kompanisë së teknologjisë detare Thayer Mahan. “Kuptohet përgjithësisht nga kundërshtarët tanë potencialë që nëndetëset tona janë aty jashtë, kanë qenë për më shumë se 60 vjet, dhe janë në gjendje të godasin kudo që duan, kur duan, nëse është e nevojshme”.
“Është një mesazh më i butë që jepet në këtë mënyrë,” shtoi Connor. “Nuk është një provokim i drejtpërdrejtë. Është thjesht një kujtesë e asaj që tashmë ekziston”.
Presidenti ishte i paqartë në zbardhjen e planeve të tij, duke njoftuar vetëm se nëndetëset bërthamore do të pozicionoheshin në “rajonet e përshtatshme” pas akuzave të Medvedev se po përshkallëzon luftën. Trump i tha gazetarëve të dielën se nëndetëset janë “tashmë në rajonin ku duhet të jenë”.
Moran tha se Trump ndoshta thjesht kishte përputhur një rotacion rutinë me një mesazh strategjik.
“Nuk kushton asgjë,” tha ai. “Por nëse e bën shpesh, fillon të zbulosh se ku janë kufijtë e tu. Kjo ka pasoja afatgjata”.
Ai gjithashtu shprehu dyshime për thellësinë e koordinimit pas njoftimit, duke thënë se “nëndetëset nuk lëvizin vetëm me një klik të gishtit”.
Matthew Shoemaker, një ish-zyrtar i inteligjencës së mbrojtjes, përforcoi këtë pikë.
“Është padyshim e pazakontë të njoftosh diçka të tillë nga perspektiva operative,” tha ai, “që do të thotë se kjo kryesisht ka për qëllim të dërgojë një mesazh ndaj rusëve, më shumë sesa të arrijë një qëllim ushtarak”.
Ndërkohë, frustrimi i Trump ndaj Putinit është rritur në javët e fundit për shkak të ngecjes së negociatave për përfundimin e luftës, duke e shtyrë atë të shkurtojë afatin kohor për Rusinë që të pranojë një marrëveshje paqeje.
Zbulimi i pranisë së nëndetëseve nga Trump shton presion shtesë mbi Rusinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, sipas Bryan Clark, një ish-oficer nëndetëseje dhe drejtor i Qendrës për Koncepte dhe Teknologji të Mbrojtjes pranë Institutit Hudson.
“Ne kemi përdorur shumë rrallë nëndetëset për të ndikuar në sjelljen e kundërshtarëve më parë, por kjo është mjaft e pazakontë, ta bësh këtë kundër një kundërshtari me energji bërthamore si Rusia si përgjigje ndaj një kërcënimi bërthamor nga Rusia,” tha Clark për Fox News të hënën. “Pra, mendoj se kjo është në thelb një përpjekje për të kundërshtuar kërcënimet e shpeshta dhe të gjatë të Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore në pjesë të konfliktit në Ukrainë”.
Mark Cancian, këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, beson se më shumë është e mundur që dy nëndetëse amerikane që ishin tashmë në detyrë janë ripozicionuar, sesa të jenë dërguar anije të reja.
“Në çdo moment janë rreth një duzinë nëndetëse amerikane të vendosura në mision,” tha ai. “Me siguri vetëm i zhvendosëm dy prej tyre në vende të ndryshme. Nuk ka pasur asnjë raport për nisje të reja nëndetësesh — do të kishit dëgjuar për këtë.”
Kapiteni i marinës në pension, Todd Sawhill, i cili ka shërbyer si ekspert për synimet në Stafin e Përbashkët dhe Komandën Qendrore të SHBA-së, tha se ekziston precedenti për lëvizjen e nëndetëseve në përgjigje të tensioneve — por rrallë flitet kaq hapur për këtë.
“Është e pazakontë që një president në detyrë ta transmetojë këtë kaq hapur,” tha Sawhill. “Kjo përputhet me dëshirën e Trump për mesazhe të drejtpërdrejta, kështu që në këtë kuptim nuk është befasi. Por nuk është mënyra se si zakonisht bëhen këto gjëra”.
Ekspertët bien dakord se sapo një nëndetëse amerikane lë portin, bëhet e vështirë — megjithatë jo e pamundur — për kundërshtarët të ndjekin atë.
“Këto janë informacione shumë të kontrolluara me kujdes,” tha Cancian. “SHBA-ja ka besim të madh që nëndetëset e vendosura nuk po ndiqen — megjithatë më parë jemi gabuar”.
Shoemaker vuri në dukje se gjeografia luan një rol të rëndësishëm. “Sa më afër bregdetit të një kundërshtari të vish, aq më e mundshme është që ata të gjejnë dhe ndjekin nëndetëset tona,” tha ai. “Kështu që varet saktësisht se ku dërgohen këto nëndetëse pranë Rusisë”.
Moran shtoi se të dyja palët i ekzagjerojnë kapacitetet e tyre për ndjekje.
“Është e lehtë të pretendosh që di se ku është kundërshtari yt,” tha ai. “Por me nëndetëset moderne, kjo është një detyrë shumë e vështirë”.
Connor gjithashtu përmendi një rast të fundit që nënvizoi fuqinë diskrete të nëndetëseve.
“Para disa javësh, u krye një sulm ndaj vendeve ku prodhohen komponentë për armë bërthamore iraniane,” tha ai. “U bë shumë zhurmë për faktin që disa avionë të Forcave Ajrore u nisën nga SHBA-ja dhe goditën dy objektiva të thellë nëntokësorë. Dhe ishte më shumë një përmendje anësore që një nëndetëse — kush e di se cila apo ku ishte — goditi 30 objektiva në të njëjtën kohë”.
“Ky është një kapacitet që gjithmonë ekziston, përdoret rrallë dhe nuk ka nevojë të flitet shumë hapur për të qenë efektiv”.
Por, ndryshe nga sulmet ndaj Iranit, duket e pamundur që nëndetëset e dërguara si përgjigje ndaj tensioneve të rritura me Rusinë të kryejnë të njëjtën lloj veprimi, sipas Clark.
Kjo ndodh sepse SHBA-ja nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt ushtarakisht për të mbështetur Ukrainën, dhe vendet ku operojnë këto nëndetëse nuk janë më të përshtatshmet për të nisur sulme kundër armiqve rusë, pasi raketat me rreze të gjatë do të kalonin mbi vendet e NATO-s si Rumania, tha Clark.
“Nuk është e mundshme që kërcënimi ose veprimi të jetë një sulm me raketa me rreze të gjatë,” tha Clark. “Mendoj se është shumë më e mundshme që ne të përdorim nëndetëset sulmuese për t’i treguar rusëve se mund të kërcënojmë objektiva të rëndësishme të tyre në rast se ata vendosin të përshjkallëzojnë”.
I pyetur nëse Rusia mund të përgjigjet me lëvizjet e veta, Shoemaker u shpreh me siguri: “Po, pothuajse me siguri. Rusia historikisht dhe rutinë pëlqen të bëjë përgjigje të ngjashme ndaj veprimeve amerikane”.
Moran përmendi një shembull të fundit nga viti 2024: “Rusia lëvizi anije pranë Kubës, dhe ne u përgjigjemi duke nxjerrë nëndetësen në sipërfaqe në Gjirin e Guantanamos. Kjo është një rast ku oraret operacionale përputhen me një mundësi për të dërguar një mesazh”.
Por këto sinjale të tipit “macja me miun” mbartin rrezik.
“Mund të ndodhin gabime. Gjërat mund të keqinterpretohen,” paralajmëroi Moran. “Kemi qenë këtu edhe më parë”.
Connor u pajtua se oqeanet do të mbeten një fushë shahu me sinjalizime të heshtura.
“Të dy vendet kanë lirinë të operojnë si të duan në ujërat ndërkombëtare,” tha ai. “E kanë bërë këtë për dekada dhe ka gjasa që do të vazhdojnë”.
Lëvizja duket si një përzierje mes frikësimit dhe diplomacisë.
Trump “po tregon pakënaqësi ndaj refuzimit të Rusisë për të negociuar seriozisht për Ukrainën,” tha Cancian. “Por më me rëndësi, ai po i përgjigjet kërcënimeve të përsëritura bërthamore të Rusisë — një model që ka ekzistuar që në fillim të luftës”.