Izrael/ Përfundon takimi i kabinetit qeveritar, Netanyahu drejt pushtimit të plotë të Gazës

Qeveria izraelite duket se po përgatitet për një pushtim të plotë të Rripit të Gazës, sipas raportimeve të Jerusalem Post që citojnë burime qeveritare.

Në një mbledhje kyçe pasditen e sotme u diskutuan vendimet për vazhdimin e luftës.

Gjatë një takimi që zgjati gati tre orë, shefi i forcave të armatosura izraelite, gjenerallejtënant Ejal Zamir, prezantoi opsionet ushtarake për fazën tjetër të operacionit në Gaza.

Megjithëse ai nuk është në favor të pushtimit të plotë, nuk përjashtohet zbatimi i tij nëse qeveria e sigurisë merr një vendim të tillë. Stafi ushtarak shprehet i gatshëm të zbatojë çdo urdhër të Këshillit të Sigurisë.

Një zyrtar izraelit tha për Jerusalem Post se Benjamin Netanyahu do të thërrasë së shpejti një mbledhje të zgjeruar të qeverisë, ku do të diskutohet pushtimi i plotë ushtarak dhe negociatat për shkëmbimin e pengjeve.

Pas vizitës së dërguarit special të Donald Trump, Steve Witkoff, është arritur konsensus politik që çdo marrëveshje duhet të përfshijë lirimin e të gjitha pengjeve.

Që nga e hëna në mbrëmje, burime të gazetës raportojnë se Netanyahu ka marrë vendim për pushtim të plotë të Gazës, madje edhe në zonat ku mbahen pengjet.

Hamas e ka cilësuar si ‘kërcënime të përsëritura, të pavlera dhe pa ndikim’ deklaratat izraelite mbi këto plane.

Ministri i Mbrojtjes izraelit, Israel Katz, pas mbledhjes deklaroi se ushtria do të zbatojë çdo vendim politik lidhur me Gazën. Syri.net-Kathimerini