Fjalët e Jorge Costa-s në intervistën e fundit pak para se të ndërronte jetë: Jemi të lumtur...

Një ditë zie për botën e futbollit. Jorge Costa, drejtori për futbollin te FC Porto dhe një nga figurat më emblematike të historisë së klubit, ka ndërruar jetë këtë të martë pas një arresti kardiak. Tragjedia ndodhi vetëm pak minuta pasi ai kishte dhënë një intervistë për SportTV, rreth orës 12:24, nga qendra stërvitore e Portos, në Olival.

Në këtë paraqitje të fundit publike, Costa shprehej i entuziazmuar për nisjen e sezonit dhe punën e bërë nga skuadra:

“Në fillim të çdo sezoni pritshmëritë janë gjithmonë të larta. Jemi shumë të kënaqur, mendoj se edhe tifozët janë të lumtur dhe të paduruar. Puna që është bërë ka lënë përshtypje pozitive.”

Ai vlerësoi edhe trajnerin e ri, Francesco Farioli:

“Është e lehtë për të bashkëpunuar me të, një trajner i shkëlqyer. Mbi të gjitha, lojtarët besojnë në idetë e tij. Jemi të gjithë të lumtur.”

Jorge Costa pranoi se sezoni i kaluar nuk kishte qenë i suksesshëm, por theksoi ndryshimet pozitive dhe ambicien për të qenë konkurrues:

“Me ndeshjen ndaj Atletico Madrid treguam imazhin që duam të kemi: stadium i mbushur, ekip kompetent dhe rezultat i mirë.”

Sa i përket merkatos, ai theksoi:

“Jemi të kënaqur me çfarë kemi, por gjithçka është e mundur derisa të mbyllet tregu. Mund të ketë lëvizje të tjera.”

Ndërsa fliste për pritshmëritë ndaj ndeshjes së parë të kampionatit dhe përforcimet e mundshme, Jorge Costa përmbylli me një mesazh që sot merr një tjetër domethënie:

“Jemi të lumtur me çfarë kemi. Me këta do të nisim kampionatin.”

Fjalët e tij të fundit publike janë tashmë një testament i përkushtimit, pasionit dhe besimit që ai kishte te Porto.