Izraeli vret përmes eutanazisë krokodilët në Bregun Perëndimor
Një tufë krokodilësh të sjellë në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor dekada më parë po i afrohet fundit, ndërsa autoritetet po i eutanizojnë zvarranikët e moshuar pas vitesh të tëra arratisjesh të përsëritura nga një fermë e lënë pas dore prej kohësh.
Autoritetet izraelite thanë të hënën se veterinerët qeveritarë i kishin vrarë krokodilët, sepse ata kërcënonin banorët e zonës dhe vetë po vuanin nga trajtimi çnjerëzor. Numri i saktë i krokodilëve të eutanizuar dhe metoda e vrasjes nuk ishin menjëherë të qarta.
“Krokodilët e Nilit në fermë mbaheshin në një kompleks të braktisur në kushte të këqija që përbëjnë abuzim me kafshët, me qasje të pamjaftueshme në ushqim, gjë që i kishte shtyrë ata drejt sjelljes kanibaliste”, tha COGAT, organi mbrojtës izraelit, që administron çështjet civile në Bregun Perëndimor.
Krokodilët u sollën fillimisht në qytetin Petzael si një atraksion turistik — një aventurë biznesi që u prish nga dhuna midis Izraelit dhe palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Më vonë ata u blenë nga një sipërmarrës që shpresonte të shiste lëkurën e tyre. Fati i tyre ka qenë një çështje e hapur që kur Izraeli në vitin 2012 miratoi një ligj, që i klasifikonte zvarranikët si kafshë të mbrojtura dhe ndaloi rritjen e tyre për shitje si mish ose mall.
«Nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë nëse një krokodil arrin të arratiset dhe të arrijë në lumin Jordan, dhe pastaj do të kemi një incident ndërkombëtar», tha kreu i komunitetit vendas për Associated Press në vitin 2018, duke iu referuar kufirit me Jordaninë, i cili është 6.8 kilometra larg.
COGAT tha se autoritetet kishin shpenzuar qindra mijëra shekel izraelitë (më shumë se 29,000 dollarë) për të ri-rrethuar fermën e rrënuar, e cila ka qenë në gjendje të mjerë, që kur u mbyll në vitin 2013. Ajo tha se veterinerët ishin konsultuar se si t'i shfarosnin kafshët në mënyrë humane./ AP.