Dinamo City i jep lamtumirën sulmuesit, e shet në Ukrainë për një shumë të majme

Peter Itodo Mandela nuk do të jetë më pjesë e Dinamos. Klubi kryeqytetas ka konfirmuar zyrtarisht largimin e sulmuesit, i cili tashmë do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin ukrainas, te skuadra Metalist 1925.

Transferimi i Mandelës është realizuar për një shumë që mendohet të jetë rreth 1.1 milionë euro, ndërkohë që ai do të gjejë aty disa fytyra të njohura nga Kategoria Superiore, si Ermir Rashica dhe Kristian Mba, ndërsa pritet t’i bashkohet edhe Baton Zabërgja.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dinamo City ka falënderuar zyrtarisht lojtarin për kontributin e dhënë gjatë sezonit të kaluar:

“Faleminderit Itodo Mandela!

Klubi i Dinamo City bën me dije se ka arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit Peter Itodo Mandela në Ukrainë, te skuadra e Metalist 1925.

Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi e falënderojnë sulmuesin për kontributin e dhënë me fanellën blu sezonin e kaluar, ku ai spikati.

Gjithashtu, i urojmë lojtarit suksese me skuadrën e tij të re!”

Mandela largohet nga Dinamo pas një sezoni pozitiv, ku arriti të tregonte potencialin e tij si një nga pikat e forta në sulm. Klubi i ri në Ukrainë paraqet një sfidë të re për të, në një kampionat më konkurrues, por edhe me më shumë mundësi për rritje profesionale.