Kush është Radomir Laban? Për shkak të tij Osmani tërhoqi kërkesën për seancën konstituive nga Kushtetuesja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot përmes një konferencë për media njoftoi tërheqjen e kërkesës së dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
Ky vendim erdhi si pasojë e caktimit të Radomir Laban, si gjyqtar raportues për çështjen e ngritur pranë këtij institucioni nga vetë Presidentja në lidhje me ecurinë e konstituimit të Kuvendit.
Por, kush është Radomir Laban?
Radomir Laban u kthye në qendër të vëmendjes nga e premtja e 18 majit të vitit 2018 pasi u zgjodh gjykatës i ri në Kushtetuese.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018. Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoita dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, por ish punëtori i doganës në Serbi, i njohur si pjesë e grupit ‘mafia doganore’ nuk kreu asnjë ditë burg pasi gjeti strehim në Kosovë.
Pas dënimit, për ish-anëtarin e inteligjencës së Doganës së Serbisë u lëshua fletarrest në interpol. Pasi u mor vesh se iku në Kosovë, u kërkua edhe asistenca e EULEX për ta arrestuar, në nëntor të vitit 2017. Misioni evropian i ktheu përgjigje negative kryetares së gjykatës së Kralevës.
Laban i cili kishte shpëtuar pa u lagur doli para Komisionit të Kuvendit për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtuese. Këtu u tha se prezantoi dokumentacion sipas të cilit ai nuk kishte asnjë problem me ligjin.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe mandati i tij është nëntë vjet.