Netanyahu: Shkatërrimi i Hamasit është zgjidhja e vetme për lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi sot se është e domosdoshme që Izraeli të mundë në mënyrë përfundimtare Hamasin, për të siguruar lirimin e të gjithë të burgosurve izraelitë që vazhdojnë të mbahen aty.

“Duhet të fitojmë totalisht mbi armikun në Gaza, të lirojmë të gjithë të burgosurit tanë dhe të sigurojmë që Gaza të mos paraqesë më kërcënim për Izraelin. Nuk heqim dorë nga asnjë nga këto qëllime,” tha Netanyahu, sipas një njoftimi të zyrës së tij.

Ai njoftoi dje se gjatë kësaj jave do të japë ‘udhëzime’ për vazhdimin e luftës në Rripin e Gazës, pavarësisht presionit në rritje ndaj qeverisë së tij për të përfunduar konfliktin dhe për të arritur një marrëveshje që siguron lirimin e të burgosurve të rrëmbyer më 7 tetor 2023.

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi se  ushtria do të zbatojë në mënyrë profesionale politikën që do të përcaktohet,  ashtu siç ka vepruar deri tani në të gjitha frontet e luftës.

Ndërkohë dje, burime pranë kryeministrit bënë të ditur se “vendimi është marrë, po shkohet drejt pushtimit të plotë të Rripit. Nëse kjo nuk i pëlqen shefit të shtabit, le të japë dorëheqjen”, duke vënë në dukje përplasjen e vazhdueshme, veçanërisht mes shefit të IDF-it, Eyal Zamir, dhe ministrave të ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich e Itamar Ben Gvir, të cilët duan të aneksojnë Rripin dhe ta ripopullojnë.