SHBA/ Kompania që operonte nëndetësen Titan mban ‘përgjegjësinë kryesore’ për aksidentin e vitit 2023

OceanGate, kompania amerikane që zotëronte nëndetësen Titan, mban përgjegjësinë kryesore për tragjedinë që ndodhi gjatë një zhytjeje turistike drejt rrënojave të Titanikut në vitin 2023, ku humbën jetën pesë persona.

Ky është përfundimi i Rojës Bregdetare të SHBA-së e cila publikoi së fundmi raportin zyrtar mbi ngjarjen. Sipas hetimit, shkaku kryesor i aksidentit ishte mosrespektimi i protokolleve standarde të sigurisë, testimeve dhe mirëmbajtjes nga ana e OceanGate.

Titan, një nëndetëse 6.5 metra e gjatë, ishte nisur më 18 qershor 2023 drejt vendndodhjes së famshme të Titanikut në Oqeanin Atlantik.

Misioni i zhytjes ishte planifikuar të zgjaste rreth shtatë orë, por kontakti me mjetin humbi pas më pak se dy orësh. Kjo çoi në një operacion të madh kërkimi e shpëtimi që tërhoqi vëmendjen e mediave në mbarë botën për ditë me radhë.

Hetimet zbuluan se nëndetësja ishte shkatërruar pak pas fillimit të zhytjes, si pasojë e një ‘endorrëzimi katastrofik’, një shpërthim i menjëhershëm i brendshëm për shkak të presionit të lartë në thellësi.

Të pestë pasagjerët humbën jetën në çast, përfshirë Pierre-Henri Nargeolet, një ekspert francez 77-vjeçar i njohur si ‘Z. Titanik’, dhe Stockton Rush, CEO i OceanGate.

Pas tragjedisë, u ngritën akuza serioze për neglizhencë, veçanërisht lidhur me dizajnin e dritares së përparme të nëndetëses, për të cilën sipas disa ekspertëve nuk kishte aftësinë të përballonte presionin ekstrem të thellësive ku po zbatohej misioni.