Luan kundër Egnatias, Olimpija Ljubljana pezullon përkohësisht trajnerin Jorge Simao
Klubi slloven, NK Olimpija Ljubljana, kundërshtarja e radhës e Egnatias në Conference League, ka njoftuar zyrtarisht se Jorge Simao nuk do të drejtojë më ekipin e parë me efekt të menjëhershëm dhe deri në një njoftim të dytë. Vendimi është marrë në kuadër të vlerësimit të zhvillimit sportiv të klubit në afat të shkurtër dhe afatgjatë, si dhe objektivave dhe arritjeve që synon të përmbushë.
Në deklaratën zyrtare theksohet se ky vendim nuk përbën ndërprerje të marrëdhënies kontraktuale mes klubit dhe trajnerit portugez. Kontrata mbetet në fuqi, përveç nëse palët bien dakord ndryshe në të ardhmen.
Klubi falënderon Jorge Simao dhe stafin e tij teknik për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së qëndrimit në krye të skuadrës.
Ndërkohë, drejtimin e përkohshëm të ekipit të parë do ta marrë dyshja e trajnerëve nga akademia e të rinjve të Olimpija-s, Ivan Senzen si trajner kryesor dhe Antonio Delamea Mlinar si ndihmës.
enzen, një emër i njohur në fushën e zhvillimit të të rinjve, ka një përvojë të gjerë ndërkombëtare, përfshirë punën në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një dekadë te Dinamo Zagrebi, ku ka udhëhequr me sukses ekipin e të rinjve në UEFA Youth League.
Klubi synon që me këtë lëvizje të rifokusojë përpjekjet drejt qëndrueshmërisë dhe progresit sportiv në të gjitha nivelet.