Historia e pazakontë e Mauro Icardit në La Masía, rrëfimi i pabesueshëm i një ish-shoku dhome
La Masía, akademia legjendare e Barcelonës, ka prodhuar jo vetëm talente të mëdhenj, por edhe kujtime dhe histori të veçanta që dalin në dritë me kalimin e viteve. Një prej tyre, mjaft e çuditshme dhe e pazakontë, është rrëfyer së fundmi nga ish-mbrojtësi i Espanyolit, Sergi Gómez, gjatë një interviste në kanalin “El After de Post United”.
Gómez, që ka qenë pjesë e akademisë katalanase për vite me radhë, ndau një kujtim nga koha kur ndante një apartament me Mauro Icardin, Sergi Roberton dhe Marc Muniesan, të gjithë pjesë e brezit premtues të La Masías. Ishte një moment që ai e kujton me buzëqeshje, por edhe habi të madhe.
“Një ditë, Mauro më thotë: ‘Sergi, hajde me mua në parkun përballë’. Kishte ndërtuar një armë me llastik, me një degë në formë Y-je. Më tregon një pishë të lartë dhe më pyet nëse shoh diçka lart. Unë shoh vetëm kokrra pishash, por ai këmbëngul: ‘Jo, më lart’. Dhe kishte një pëllumb shumë lart, mezi dukej...”
“Merr një gur, tërheq llastikun dhe bum! E qëllon pëllumbin nga lartësia 20-30 metra. Kthehemi në shtëpi, ai i heq pendët, i kalon një tel përmes dhe ndez një zjarr... pastaj e pjek dhe e ha para meje. Mbeta i shtangur!”, tregoi ai me të qeshura. “Aty mendova: ‘Çfarë më pret më tutje, nëse e nisëm kështu?’ Por kam shumë respekt për Mauron, kemi kaluar shumë kohë të bukura bashkë.”
Dy rrugë shumë të ndryshme pas La Masías
Edhe pse të dy ishin pjesë e ekipit të të rinjve të Barcelonës, rrugët e tyre profesionale morën drejtime të ndryshme. Sergi Gómez luajti vetëm një ndeshje me ekipin e parë të Barçës, përpara se të bënte karrierë në La Liga me Celta Vigon, Sevillan dhe së fundmi Espanyolin. Pas përfundimit të kontratës këtë verë, ai është pa ekip dhe në pritje të aventurës së fundit të karrierës, ndoshta jashtë Spanjës.
Ndërkohë, Mauro Icardi u largua nga La Masía në vitin 2011 për të kaluar te Sampdoria dhe më pas shkëlqeu me Interin, kaloi te PSG dhe aktualisht është ‘ylli’ kryesor i Galatasaray-t në Turqi.
Një histori e rrallë, që tregon se përtej futbollit, kujtimet e adoleshencës në La Masía mbeten të paharrueshme edhe kur përfshijnë... një pëllumb të pjekur.