Benjamin Sesko, objektiv i madh për United dhe Newcastle, ofertat në tavolinë
E ardhmja e Benjamin Seskos mund të qartësohet shumë shpejt. Sulmuesi slloven, që është në pronësi të Leipzig-ut, është një nga emrat më të kërkuar të merkatos së verës dhe dy klubet angleze, Manchester United dhe Newcastle, janë futur në një garë të fortë për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas asaj që raportojnë mediet britanike, konkretisht Sky Sports UK, Manchester United ka bërë një hap përpara në këtë garë të ashpër. “Djajtë e Kuq” kanë paraqitur një ofertë prej rreth 85 milionë eurosh (afërsisht 74 milionë paundë), e ndarë në 75 milionë euro si pjesë fikse, ndërsa 10 milionët e tjerë në formë bonusesh të lidhura me paraqitjet e Seskos në fushë. Kjo tregon se klubi nga ‘Old Trafford’ është gati të investojë fuqishëm për të përforcuar repartin ofensiv.
Në anën tjetër, edhe Newcastle United nuk ka qëndruar duarkryq. “Magpies” kanë prezantuar një ofertë me pjesë fikse më të lartë, rreth 70 milionë paundë (pra, afro 80 milionë euro), por që në total rezulton më e ulët në krahasim me atë të Manchester United, duke marrë parasysh strukturën e bonuseve.
Gara mes dy klubeve pritet të kulmojë në ditët në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia që vendimi përfundimtar të merret shumë shpejt. Një “telenovelë” merkatoje që po afron fundin, por që ende nuk ka zbuluar kapitullin e fundit të saj. Benjamin Sesko është në qendër të vëmendjes, dhe çdo lëvizje mund të jetë vendimtare.