Sapo kishte dhënë një intervistë, ndahet nga jeta legjenda e Portos dhe futbollit portugez
Bota e futbollit është në zi pas lajmit tronditës për ndarjen nga jeta të Jorge Costa-s, ish-kapiten i Portos dhe një prej figurave më të rëndësishme të historisë së këtij klubi dhe të Kombëtares Portugeze. Ai ndërroi jetë këtë të martë, në moshën 53-vjeçare, në Spitalin e São João-s në Porto, pas një ndalese kardiorespiratore të pësuar gjatë mesditës në qendrën stërvitore të klubit në Olival.
Jorge Costa, që së fundmi mbante postin e drejtorit për futbollin te “Dragões”, u ndje keq menjëherë pas një interviste të dhënë për SportTV, rreth orës 12:30. Ai kishte kërkuar që intervista të zhvillohej brenda ambienteve të qendrës për shkak të vapës së madhe. Vetëm pak minuta më pas, humbi ndjenjat.
Stafi mjekësor i Portos, përfshirë mjekun Nélson Puga, ndërhyri menjëherë me ndihmën e një defibrilatori, por gjendja e tij ishte tepër e rëndë. Pas mbërritjes së shërbimeve emergjente dhe transportimit në spital, ai u shtrua në repartin e kujdesit intensiv, ku fatkeqësisht ndërroi jetë në orët e para të pasdites.
Kujtojmë se Jorge Costa kishte kaluar një episod të ngjashëm në vitin 2022, kur pësoi infarkt dhe iu nënshtrua një kateterizimi që i shpëtoi jetën asokohe.
I njohur për karakterin e fortë në fushë dhe përkushtimin ndaj fanellës së Porto-s dhe Portugalisë, Jorge Costa do të mbahet mend si një udhëheqës i lindur, simbol i qëndrueshmërisë dhe një figurë e dashur për të gjithë botën e futbollit.