Club Brugge lë Ardon Jasharin jashtë listës për ndeshjen e nesërme të Championsit

Ardon Jashari është gjithnjë e më afër transferimit te Milani.

Ylli shqiptar po e pret dritën jeshile për të fluturuar drejt Italisë, ku po e pret një kontratë pesëvjeçare me një rrogë vjetore prej 2.5 milionë eurosh.

Zërat e fundit për një marrëveshje eventuale mes dy klubeve janë përforcuar sot kur lojtari me origjinë shqiptare ka mbetur jashtë listës së të ftuarve për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve,.

Club Brugge do të përballet me Salzburgun në ndeshjen e vlefshme për rrethin e tretë kualifikues të Championsit dhe emri i Jasharit nuk figuron në mesin e të ftuarve.

Klubi belg pritet të përfitojë 34 milionë euro nga shitja e ish-futbollistit të Luzernit, plus 3 milionë nga bonuset.

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut mezi pret ta veshë fanellën kuqezi, për të cilën refuzoi disa klube të njohura evropiane.

Futbollisti më i mirë i vitit në Belgjikë është i vendosur që kualitetin e tij ta shfaqë te shtatë herë kampioni i Evropës.