Rusia e izolon internetin: Nga censura masive tek ndëshkimi i përdoruesve

Shfletimi në internet në Rusi po bëhet gjithnjë e më i vështirë, i ndërlikuar dhe i rrezikshëm.

Videot në YouTube nuk hapen. Faqet e mediave të pavarura shfaqin vetëm faqe të zbrazëta. Interneti në celular mund të mungojë për orë apo ditë. Kjo nuk është një ndërprerje e rastësishme – është pjesë e një fushate të qëllimshme dhe afatgjatë nga autoritetet ruse për të futur rrjetin në kontroll të plotë të Kremlinit.

Përmes ligjeve kufizuese, ndalimeve të platformave që nuk bashkëpunojnë dhe teknologjisë së avancuar për monitorimin dhe manipulimin e trafikut online, Rusia po përpiqet të izolojë internetin e saj nga pjesa tjetër e botës.

Ndërprerje, ndalesa dhe ligje të reja

Verën e këtij viti, autoritetet përshkallëzuan kufizimet me ndërprerje të përhapura të internetit në celular dhe me një ligj të ri që ndëshkon përdoruesit që kërkojnë përmbajtje të konsideruar “ekstremiste”. Këto përfshijnë materiale LGBTQ+, opozitën politike, këngë të artistëve kritikë ndaj Kremlinit, madje edhe kujtimet e Alexei Navalny, të shpallura “ekstremiste” javën e kaluar.

Gjithashtu është kërcënuar bllokimi i WhatsApp-it – një platformë me mbi 97 milionë përdorues në muaj – ndërsa shteti ka lançuar një aplikacion kombëtar të mesazheve të quajtur MAX, që pritet të jetë i mbikëqyrur nga afër. Ky aplikacion është parashikuar të instalohet paraprakisht në çdo telefon të shitur në Rusi dhe tashmë po promovohet në institucionet publike dhe bizneset.

Nga protestat te një ‘intranet’ kombëtar

Përpjekjet për të kufizuar internetin në Rusi nisën që nga protestat antiqeveritare të viteve 2011–2012, kur rrjeti u përdor për të organizuar tubime dhe për të shpërndarë lajme të pavarura. Që atëherë, qeveria ka miratuar rregullore që detyrojnë ofruesit të ruajnë të dhëna të përdoruesve dhe të instalojnë pajisje që lejojnë ndërprerjen e trafikut sipas dëshirës së shtetit.

Prokuroritë për postime në rrjetet sociale u bënë të zakonshme dhe kompanitë si Google dhe Facebook u shtërnguan të ruajnë të dhënat në serverë rusë – një kërkesë që shumica nuk e pranuan.

Pas agresionit në Ukrainë: censurë e rritur

Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, autoritetet ruse bllokuan rrjete si Facebook, Instagram, Twitter dhe aplikacione si Signal. Aksesi në YouTube u ngadalësua me qëllim, ndërsa shërbimet e huaja si Cloudflare raportuan pengesa të qëllimshme.

Sipas organizatës Human Rights Watch, Rusia tani është shumë më efektive në përpjekjet e saj sesa më parë, dhe çdo ditë afrohet më shumë me një “murin digjital” të ngjashëm me atë të Kinës.

Kontroll përmes infrastrukturës

Autoritetet po përqendrojnë gjithashtu kontrollin mbi ofruesit e internetit dhe adresat IP. Nga viti i kaluar, licenca për të qenë ofrues interneti është rritur nga rreth 80 euro në mbi 10,000 euro. Sipas të dhënave zyrtare, mbi gjysmën e adresave IP në vend i menaxhojnë vetëm shtatë kompani, me Rostelecom, gjiganti shtetëror, që kontrollon 25%.

Gjysma e faqeve ruse ende mbështeten te ofrues ndërkombëtarë të hostimit, të cilët shpesh ofrojnë cilësi dhe çmime më të mira. Mirëpo, bllokimi i tyre i bën automatikisht të paarritshme shumë faqe në Rusi.

Fuqizimi i frikës dhe vetëcensura

Ligji i ri për kërkimet “ekstremiste” po hap rrugën për ndëshkimin e përdoruesve individualë, jo vetëm të platformave. Edhe pse ndjekja penale e çdo kërkimi online është praktikisht e pamundur, ekspertët thonë se disa raste shembullore mjaftojnë për të përhapur frikë dhe vetëcensurë.

E ardhmja: Një Rusi e shkëputur nga rrjeti global?

Sipas ekspertëve, Rusia nuk e ka arritur ende izolimin total të internetit, por po afrohet ndjeshëm. Përmes përmirësimeve teknologjike, kontrollit mbi infrastrukturën, presionit mbi përdoruesit dhe krijimit të alternativave “kombëtare”, Kremlini po ndërton ngadalë një “intranet” nën kontroll të plotë.

“Vite të tëra për të kuptuar arkitekturën e internetit, vite për të marrë kontrollin mbi lojtarët kyç – dhe tani, çdo ditë, Rusia afrohet më shumë me ndarjen nga rrjeti global,” tha Anastasiia Kruope nga Human Rights Watch.