SYRI TV/ Zgjedhjet kaluan, nisin largimet nga puna, punonjësi i Ujësjellësit pushohet se u ankua për ujin
Nga SYRI TV
Pasi kaluan zgjedhjet e 11 Majit, nisin largimet nga puna edhe për socialistët që ankohen. Një prej rasteve është shënuar në qytetin e Fierit, ku Kujtim Merkaj, punonjës i Ujësjellësit, është larguar nga puna sepse u ankua për mungesën e ujit në fshatin Vreshtas. Edhe pse ankesa ishte bërë para zgjedhjeve të 11 Majit, drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Fier, priti përfundimin e zgjedhjeve për t’i komunikuar atij largimin nga puna, dhe si argument i përdorën pensionimin, që vetë institucionet ja kishin shtyrë.
Largimet nga puna pas kalimit të zgjedhjeve të 11 Majit, duket se nuk kanë kursyer as socialistët e angazhuar, vetëm se ata dalin kundra linjës së Partisë dhe ankohen për problemet që shkaktohen nga keqmenaxhimi i institucioneve. I tillë është rasti i Kujtim Merkajt, punonjës i Ujësjellës Kanalizimeve Fier. Merkaj ishte angazhuar intensivisht në fushatë me Partinë Socialiste, ku mban edhe postin e kryetarit të PS-së për fshatin Vreshtas. Pas përfundimit të zgjedhjeve, Merkajt i komunikojnë largimin nga puna, me argumentin se kishte mbushur moshën e pensionit. Por ky fakt hidhet poshtë nga drejtuesi i PS-së në Vreshtas, pasi ai ka marrë konfirmimin institucional për vijimin e punës me shtyrjen e kohës për daljen në pension.
Për Syri TV, ai tregon se ka shtyrë daljen në pension dhe vijimin e punës, e kjo i është konfirmuar shkresërisht, por një ankesë e tij për mungesën e ujit në fshat ka bërë që eprorët të hakmerren dhe ta largojnë. Kujtim Merkaj tregon se pasi kishte ngritur shqetësimin disa herë te Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Fier, por askush nuk kishte reaguar. Në këto kushte ai i është drejtuar instancave më të larta në Tiranë. Pikërisht kërkesa e tij për furnizimin e fshatit me ujë është parë e papërshtatshme, duke i komunikuar largimin.
Sa i përket argumentit të largimit nga puna, Kujtim Merkaj sqaron se më 11 qershor kishte marrë konfirmimin nga institucionet për shtyrjen e pensionit, por pas ankesës për mungesën e ujit, më 31 korrik, atij i vjen një tjetër vendim, ai i largimit nga puna dhe daljes në pension.
Të kontaktuar nga Syri TV, drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Fier nuk ka pranuar të japë sqarime për rastin, por ka rekomanduar që nëse qytetari ka ankesa mund t’i drejtohet institucioneve me shkrim dhe do të marrë përgjigjen që kërkon.