SYRI TV/ Detaje të reja nga vrasja e Frrok Lleshaj, viktima ka vrarë kushëririn para 20 vitesh
Mbeten ende mister rrethanat e vrasjes së 65-vjeçarit Frrok Lleshaj në fshatin Paçram, në Vaun e Dejës. Policia e Shkodrës vijon hetimet për këtë ngjarje, por për momentin nuk ka një pistë konkrete se ku janë përqendruar hetimet. Ndërkohë mësohet se Lleshaj, para më shumë se 20 vitesh ka vrarë kushëririn e tij, krim që nuk e ka pranuar asnjëherë, por për të cilin ka qenë i dënuar me 25 vite burg. Ai është liruar në mars të 2023, ndërkohë që më herët ka qenë edhe efektiv i policisë së Shtetit.
Vijojnë të mbeten të paqarta rrethanat e vrasjes së 65-vjeçarit Frrok Lleshaj në fshatin Paçram të Bashkisë Vau i Dejës. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së hënës pranë banesës së viktimës, në një tokë bujqësore. Mungesa e kamerave të sigurisë dhe zona e errësuar e vështirëson më shumë punën e policisë së Shkodrës për identifikimin e shpejtë të autorit apo autorëve të kësaj ngjarje. Sipas burimeve, vrasja e 65-vjeçarit është kryer me armë zjarri pistoletë. Ndërkohë, trupi i viktimës ka qëndruar në vendngjarje për rreth 3 orë për shkak të kryerjes së ekspertizës.
Ai u konstatua nga banorë të zonës, të cilët lajmëruan policinë. Sa i përket viktimës, 65-vjeçari Frrok Lleshaj, sipas një vendimi të gjykatës, rezulton se ka vrarë kushëririn e tij para më shumë se 20 vitesh. Ai ishte dënuar me 25 vite burgim, duke u liruar në mars të vitit 2023. Por, ai nuk e ka pranuar asnjëherë se ka qenë autor i vrasjes së kushëririt. Para rreth 30 vitesh, viktima ka ushtruar detyrën e efektivit të policisë së shtetit. Gjithashtu, policia po heton edhe për aktivitetin e viktimës pas lirimit nga burgu, ndërkohë që merrej me blegtori. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka pyetur familjarë të viktimës, por deri tani pa rënë në gjurmët e autorit.