Instituti Ndërkombëtar Republikan nuk do të pranojë më fonde nga Sorosi
Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) ka deklaruar se nuk do të pranojë më fonde nga grupet e lidhura me George Sorosin, pas një kërkese të bërë javën e kaluar që ai të "ndërpresë marrëdhëniet" me Sorosin. Një zëdhënës i IRI-it i tha Daily Signal: "Projekti në fjalë është mbyllur; IRI nuk bashkëpunon me Fondacionet Shoqëria e Hapur dhe nuk ka ndër mend të bashkëpunojë sërish."
Më poshtë është letra e dërguar me 31 korrik drejtuar kryetarit të IRI-it dhe senatorit të Alaskës, Dan Sullivan (në foto):
Letra drejtuar IRI:
Po ju shkruaj për t'ju kërkuar që Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) të ndërpresë marrëdhëniet me të ashtuquajturin Open Society Action Fund, si edhe me çdo ent tjetër të themeluar dhe/ose financuar nga George Sorosi.
Sipas bazës së të dhënave "Grantet e Akorduara" në faqen e internetit të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur (OSF) (opensocietyfoundations.org), IRI ka qenë përfitues i një granti prej 1,670,000 dollarësh nga Open Society Action Fund, një organizatë 501(c)(4). Qëllimi i grantit ishte "për të mbështetur punën e përfituesit mbi ndërtimin e kapaciteteve për komunitetet e diasporës së Azisë Lindore," çfarëdo që të thotë kjo.
IRI duhet ta ndërpresë këtë marrëdhënie për këto arsye:
1. Sorosi dhe grupet që ai financon shpesh minojnë lirinë e shprehjes, të drejtat individuale, sundimin e ligjit dhe normat demokratike, pavarësisht retorikës për një "shoqëri të hapur." Duke pranuar mbështetje nga entitete të tilla, IRI komprometon vetë misionin e tij. Këto entitete përkrahin censurën shtetërore, emigracionin e paligjshëm masiv, luftën ligjore dhe socializmin.
2. Open Society Action Fund është mbështetësi kryesor financiar i Indivisible Project, një grup që ka organizuar protesta kombëtare si "Tesla Takedown" dhe "No Kings", së bashku me grupe të tjera të financuara nga OSF si MoveOn. Këto protesta përmbanin mesazhe fyese dhe krahasime të republikanëve me nazistët, ndërsa Trump u krahasua me Hitlerin. Ato u shoqëruan gjithashtu me dhunë, vandalizëm, zjarrvënie dhe shkelje të ligjit.
3. Fondacionet tani drejtohen nga djali i Sorosit, Alex Soros, i cili ka deklaruar se është "shumë më politik" se i ati. Në rrjetet sociale, ai amplifikon narrativat më vulgare dhe të pavërteta kundër Trump-it, duke kontribuar në një diskurs të polarizuar dhe të rremë. Me 14 qershor 2025, Alex Sorosi u martua me Huma Abedinin, këshilltaren kryesore të Hillary Clinton-it, e cila është dhjetë vjet më e madhe se ai.
4. OSF janë akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme dhe proceset demokratike të vendeve të huaja. Pranimi i fondeve nga Sorosi vetëm sa e ndërlikon misionin ndërkombëtar të IRI-t. Grante të OSF kanë mbështetur kauza të debatueshme jashtë vendit, si legalizimi i drogës dhe prostitucionit, çështje që jo vetëm kanë zemëruar opinionin lokal, por kanë shkelur edhe ligjin amerikan, siç u zbulua nga Qendra Kombëtare për Politika dhe Ligj në vitin 2005.
Po kërkojmë këto veprime nga IRI:
1. Angazhim publik se nuk do të kërkojë ose pranojë më fonde nga grupet e lidhura me Sorosin apo nga fondacione të miliarderëve të majtë.
2. Nëse granti i vitit 2023 nuk është shpenzuar i tëri, mbylljen e projektit dhe kthimin e fondeve të pashpenzuara tek Open Society Action Fund.
3. Një rishikim të brendshëm për të kuptuar si u kërkua dhe pranua ky grant, për të shmangur vendime të tilla në të ardhmen.
Një zëdhënës i IRI-it gjithashtu i tha Daily Signal se "IRI mori një grant të njëhershëm për të mbështetur ujgurët e përndjekur në Kinë, trajtimi çnjerëzor i të cilëve u shpall gjenocid nga administrata e parë Trump-it."
Sipas të dhënave të OSF, granti kishte për qëllim "mbështetjen e ndërtimit të kapaciteteve për komunitetet e diasporës së Azisë Lindore", një përshkrim që tingëllon qëllimisht i paqartë. Nëse kjo mjegullnajë ishte e qëllimshme, cili ishte motivi? Nëse ishte për të mbrojtur ujgurët, të cilët ende përballen me presion nga qeveria kineze, pse IRI po e zbulon këtë tani?
OSF ka një bollëk organizatash përmes të cilave mund të financojë programe. Atëherë, pse vendosi ta kanalizojë këtë grant përmes një grupi të lidhur me republikanët, dhe kush e propozoi bashkëpunimin?
E themeluar në vitin 1983, misioni i IRI-t është të promovojë demokracinë jashtë vendit. Financuesi kryesor i tij ka qenë Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila është kritikuar dhe goditur me shkurtim fondesh nga administrata Trump. Gjithashtu, USAID ka humbur statusin si agjenci e pavarur dhe është integruar në Departamentin e Shtetit.
Përveç Sullivan-it, në bordin drejtues të IRI-it shërbejnë edhe senatorët republikanë Tom Cotton (Arkansas), Joni Ernst (Iowa) dhe Lindsey Graham (Karolina e Jugut).
Qendra Kombëtare për Politika dhe Ligj (NLPC) ka qenë një kritik i hershëm i përzierjes së fondeve të USAID me ato të Sorosit, duke publikuar në vitin 2005 një raport të veçantë me titullin: Grupet e Sorosit marrin fonde të taksapaguesve: Departamenti i Shtetit bashkëpunon për të anashkaluar ligjin amerikan kundër promovimit të përdorimit të drogës dhe prostitucionit.