‘Nuk kam lidhje me ngjarjen...’- U arrestua për vrasjen e Gentian Bejtjas, gjykata lë në burg Flodian Plakun
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për Flodian Plakun, i njohur edhe me mbiemrin Mamo dhe Serjani, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Gentian Bejtjas.
42-vjeçari u arrestua dy ditë më parë nga forcat operacionale në zonën e Orikumit, pas hetimeve të zhvilluara në kuadër të zbardhjes së ngjarjes kriminale.
Para togave të zeza, Plaku ka mohuar çdo lidhje me krimin. "Nuk kam lidhje me ngjarjen. Kam përdorur një Golf para 10 ditësh, prandaj erdhi policia tek unë", është shprehur ai në sallën e gjyqit.
Plaku u përfaqësua në gjykatë nga avokati i caktuar nga shteti, Edvis Gorishti, i cili kërkoi një masë më të butë sigurie, por kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.