Ekzekutimi i ish-policit/ Zona e pamonitoruar me kamera, trupi i viktimës qëndroi 3 orë në vendngjarje për shkak të...
Vijojnë të mbeten të paqarta rrethanat e vrasjes së 65-vjeçarit Frrok Lleshaj në fshatin Paçram të Bashkisë Vau i Dejës. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së hënës pranë banesës së viktimës, në një tokë bujqësore. Mungesa e kamerave të sigurisë dhe zona e errësuar e vështirëson më shumë punën e policisë së Shkodrës për identifikimin e shpejtë të autorit apo autorëve të kësaj ngjarje.
Por, sipas burimeve, vrasja e 65-vjeçarit është kryer me armë zjarri pistoletë. Ndërkohë, trupi i viktimës ka qëndruar në vendngjarje për rreth 3 orë për shkak të kryerjes së ekspertizës. Ai u konstatua nga banorë të zonës, të cilët lajmëruan policinë.
Përsa i përket viktimës, 65-vjeçari Frrok Lleshaj, sipas një vendimi të gjykatës, rezulton se ka vrarë kushëririn e tij para më shumë se 20 vitesh. Ai ishte dënuar me 25 vite burgim, duke u liruar në mars të vitit 2023. Por, ai nuk e ka pranuar asnjëherë se ka qenë autor i vrasjes së kushëririt. Para rreth 30 vitesh, viktima ka ushtruar detyrën e efektivit të policisë se shtetit.
Gjithashtu, policia po heton edhe për aktivitetin e viktimës pas lirimit nga burgu, ndërkohë që merrej me blegtori.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka pyetur familjarë të viktimës, por deri tani pa rënë në gjurmët e autorit.