Reali më i ri i shekullit, mesatarja më e ulët e moshës që nga viti 1998
Real Madridi ka hyrë zyrtarisht në epokën e “Baby Madrid”. Skuadra aktuale është më e reja që klubi ka pasur në shekullin XXI, me një moshë mesatare prej vetëm 25.07 vitesh, duke u kthyer pas në kohë deri në sezonin 1998-99, kur në fushë spikasnin të rinj si Raúl dhe Guti.
Ky ndryshim nuk është i rastësishëm, por rezultat i një politike të mirëfilltë dhe largpamëse të presidentit Florentino Pérez, i cili ka kaluar nga strategjia e blerjes së ‘yjeve’ të mëdhenj, si Zidane, Figo, Ronaldo apo Beckham, në ndërtimin e një ekipi të mbështetur te rinia, talenti dhe potenciali afatgjatë.
Prurjet e fundit si Franco Mastantuono (17 vjeç) dhe Dean Huijsen (20 vjeç) janë dëshmia më e qartë e kësaj filozofie të re. Me këto përforcime, Real Madridi jo vetëm që ruan traditën e dominimit, por edhe hedh themelet për të ardhmen, duke ndërtuar një ekip që premton suksese afatgjata.
Nga ‘yjet’, te premtimet
Në dy mandatet e tij si president, Florentino Pérez ka ndjekur një rregull të pathyeshëm: mos nënshkruaj me lojtarë mbi 30 vjeç: përjashtimet janë të rralla. Që nga viti 2017, ai ka deklaruar qartë se modeli sportiv duhet të përshtatet me realitetin e ri të futbollit botëror dhe fuqinë financiare të klubeve-shtete.
Kjo strategji ka sjellë në Madrid emra si Odegaard (debutoikur ishte 16 vjeç), Casillas (18), Eto’o (17), dhe së fundmi Endrick, Daniel Yáñez e Diego Aguado, të gjithë të aktivizuar në moshë shumë të re.
Një vizion që sjell trofe
Të rinjtë nuk janë më thjesht premtime, ata janë pjesë kyçe e projektit sportiv dhe garancia e titujve të ardhshëm. “Baby Madrid” është shndërruar në një laborator gjigant talentesh, ku çdo emër i ri, që del në skenë, mban mbi supe pritshmëritë e një klubi me histori të lavdishme dhe ambicie të pakufishme.
Epoka e re ka nisur dhe me të rinjtë në krye, Real Madridi synon të ndërtojë një dinasti të re fitimtare, e cila jo vetëm pasqyron frymën e kohës, por edhe vendosmërinë për të udhëhequr futbollin botëror për shumë vite në vijim.