Igli Tare bind më në fund Club Brugge për Jasharin, firma çështje orësh
Dukej si një operacion i dështuar, por tratativa mes Milanit dhe Club Brugge për Ardon Jasharin është rihapur fuqishëm dhe është shumë pranë përfundimit me sukses. Sipas medieve italiane dhe burimeve të afërta me klubet, palët janë afruar ndjeshëm drejt marrëveshjes, falë ndryshimeve në mënyrën e pagesës së ofertës së paraqitur nga drejtuesi sportiv Igli Tare.
Oferta ekonomike mbetet e njëjtë, 33.5 milionë euro plus bonuse që mund të arrijnë deri në 38 milionë euro, por ndryshimi thelbësor ka ardhur te struktura e pagesës, e cila tani do të kryhet brenda 4 viteve dhe jo në 5, siç ishte propozuar fillimisht. Ky detaj ka bindur belgët të rishqyrtojnë dhe pranojnë kushtet e kuqezinjve.
Në këto orë, kontaktet janë intensive dhe pritet të finalizohen detajet e fundit, ndërkohë që edhe nga Belgjika vijnë sinjale pozitive: gazetari Sacha Tovalieri ka raportuar se marrëveshja është arritur dhe se lojtari është gati të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Milanin.
Pas më shumë se një muaji bisedimesh, duket se transferimi i Jasharit në “San Siro” është çështje orësh.