Zyrtare së shpejti, Partizani rikthen pas tetë vitesh në Superiore trajnerin serbo-boshnjak

Partizani ka vendosur për drejtimin teknik të skuadrës për sezonin e ri, duke zgjedhur Mlladen Milinkoviç si trajnerin e ri. Emri i teknikut serbo-boshnjak ka qenë prej ditësh në diskutim me drejtuesit e klubit dhe tashmë marrëveshja është në prag zyrtarizimi.

Milinkoviç rikthehet në Kategorinë Superiore pas 8 vitesh, me një përvojë të mëparshme te Luftëtari dhe Kukësi. Përvoja e tij në futbollin shqiptar dhe rezultatet mbresëlënëse me Buduçnostin në Mal të Zi, ku arriti të shpallej kampion, kanë bindur drejtuesit e kuq për t’i besuar stolin.

Trajneri ka mbërritur sot në Tiranë për takimin final me drejtuesit e Partizanit dhe zyrtarizimi i tij pritet të ndodhë brenda orëve të ardhshme.

Milinkoviç do të ketë detyrën e vështirë për të rikthyer Partizanin në garën për titull dhe për të sjellë stabilitet pas një vere të trazuar në klubin kryeqytetas.