Partizani zyrtarizoi brazilianin, shpërthen Ledjo Pano: Filluan pushtllëqet, turp!
Partizani ka konfirmuar sot një rikthim të njohur në skuadër, duke zyrtarizuar afrimin e brazilianit Viktor Da Silva, i cili kthehet te të kuqtë pas afro tri vitesh. Sulmuesi 30-vjeçar ka qenë pjesë e skuadrës kampione në sezonin 2021-2022 dhe pritet të sjellë eksperiencë dhe alternativë në repartin ofensiv.
Megjithatë, jo të gjithë janë entuziastë për këtë lëvizje. Ish-legjenda e Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, Ledjo Pano, ka reaguar me një koment ironik dhe të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale. Nën një postim të klubit për prezantimin e Da Silvës, Pano shkruan:
“Hahaha, filluan pushtlleqet. Bravooo, vazhdoni. Turp.”
Ky reagim ka marrë menjëherë vëmendje dhe shumë pëlqime nga ndjekësit, duke nxitur diskutime të shumta për drejtimin që ka marrë klubi. Edhe pse nuk ka specifikuar emra apo arsye konkrete, komenti i Panos reflekton një pakënaqësi të hapur ndaj merkatos dhe drejtimit aktual të Partizanit.
Ky tension mes figurave historike të klubit dhe drejtuesve aktualë shton presionin mbi “demat e kuq”, të cilët këtë sezon pritet të jenë pretendentë për titullin. Rreth Da Silvës dhe merkatos së Partizanit, duket se polemikat sapo kanë nisur.