Portieri i Kosovës rikthehet në Turqi, shok skuadre me Qazim Laçin
Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muric, ka mbyllur një kapitull në futbollin anglez dhe është gati për një aventurë të re në Superligën turke.
Pas tri vitesh në Angli, ku së fundmi ishte pjesë e Ipswich Town, Muric ka arritur një marrëveshje me klubin turk Rizespor, sipas raportimeve të portalit sportiv turk ‘90min.tr’. Ai pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh dhe t’i bashkohet ekipit gjatë kësaj jave.
Ky nuk është kontakti i parë i Muric me futbollin turk, në sezonin 2020/21 ai ishte huazuar tek Adana Demirspor, ku kishte lënë mbresa me paraqitjet e tij të sigurta mes shtyllave.
Transferimi te Rizespori përkon me ambiciet e klubit për ndërtimin e një skuadre konkurruese, me objektiv pjesëmarrjen në garat evropiane për sezonin e ardhshëm. Kutjojm që vetëm pak kohë më parë ky klub afroi Qazim Laçin nga Sparta e Pragës. Gjithashtu të radhës e Rizespori luan një tjetër shqiptar i Kosovës: Altin Zeqiri.
Nuk është bërë ende e ditur nëse lëvizja e Muric do të jetë në formë huazimi apo transferim i përhershëm nga Ipswich Town.
🔥 Çaykur Rizespor, daha önce Adana Demirspor forması giyen 26 yaşındaki Kosovalı kaleci Arijanet Muric ile büyük ölçüde anlaştı! pic.twitter.com/hcl5rYIprJ
— Transfer Merkezi ™ (@TransferMerkez) August 3, 2025
Muric, 26 vjeç, ka pasur një karrierë të pasur në disa nga kampionatet më të njohura të Evropës. Ai ka qenë pjesë e Manchester Cityt, Nottingham Forestit, Burnleyt dhe Ipswich Townit në Angli. Gjithashtu, ka mbrojtur portën e klubeve NAC Breda dhe Willem II në Holandë, si dhe ka pasur një eksperiencë të shkurtër në Spanjë me Girona FC.
Me këtë hap, Muric synon të rifitojë formën më të mirë dhe të jetë një pikë kyçe edhe për përfaqësuesen e Kosovës në sfidat e ardhshme ndërkombëtare.