Nga 'Maradona i ri' te ai që fjeti në stol, TOP-5 dështimet më të mëdha të merkatos së Real Madridit
Në emisionin "Despierta San Francisco" në Radio MARCA, gazetari Miguel Ángel Toribio bëri një përmbledhje të pesë dështimeve më të mëdha të historisë së Real Madridit në merkato, duke u bazuar në çmimin, pritshmëritë dhe rendimentin e lojtarëve. Dhe në një klub me 15 Champions, edhe emrat më të mëdhenj nuk kanë shpëtuar nga lista e zhgënjimeve.
5. JULIEN FAUBERT
I huazuar nga West Ham për vetëm 1.5 milionë euro në janar 2009, luajti vetëm 54 minuta me fanellën e Real Madridit. Momenti i tij më i famshëm? Fjeti në stol gjatë një ndeshjeje në “Bernabéu”. Toribio e cilëson si një “blerje ikonike më shumë se të kushtueshme”, një arsye pse Madridi mbetet skeptik ndaj merkatos së dimrit.
4. ROBERT PROSINECKI
I ardhur në vitin 1991 si ‘yll’ i Crvena Zvezdës dhe i konsideruar si pasardhësi i Maradonës në Ballkan, kushtoi 450 milionë peseta. Por, midis dëmtimeve të shpeshta, duhanit dhe vetëm 76 ndeshjeve në 3 sezone, mori pseudonimin “Lesioneski”. Më vonë luajti edhe për Barcelonën, pa shkaktuar ndonjë polemikë në Madrid. Madje, karriera e tij u kthye në objekt satire në reklama.
3. MANOLO CANABAL
Real Madridi pagoi 800 milionë peseta për sulmuesin, por asnjëherë nuk debutoi zyrtarisht me ekipin. U kërkua nga trajneri Capello, por ky i fundit u largua përpara se Canabal të kishte një shans. I vetmi kujtim: një gol në Trofeun "Bernabéu" dhe një huazim i shpejtë te Valladolid. “Kushtoi më shumë se Roberto Carlos apo Seedorf, kjo mjafton,” tha Toribio.
2. KAKÁ
Fitues i Topit të Artë dhe ‘yll’ i Milanit, u transferua në 2009 për 67 milionë euro. Por mes pubalgjive, operacioneve dhe mungesës së lidershipit përkrah Ronaldos, Kaka nuk arriti kurrë nivelin e pritur. Shënoi 29 gola në 120 ndeshje, por nuk u bë kurrë trekuartisti që klubi priste. “Ishte një blerje që duhej bërë... por që doli keq”, u shpreh Toribio.
1. EDEN HAZARD
“Galaktiku” i vitit 2019. Blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit: 120 milionë euro. Erdhi me mbipeshë, u dëmtua rëndë kundër PSG-së dhe kurrë nuk u rikuperua. Vetëm 7 gola në 76 ndeshje. Megjithatë, u largua pa kërkuar asnjë qindarkë. “Te Chelsea kishte cilësinë e Messit, por në Madrid u shua menjëherë,” tha Toribio. Madje, pas fitores së Champions-it të 14-të, premtoi një rikthim të madh, por ajo mbeti thjesht një deklaratë.
Përmbyllja e Toribios:
“Nëse muzeu i Real Madridit ka vend për 15 Champions, ka vend edhe për këto 5 transferime që nuk ndryshuan asgjë, përkundrazi lanë pas miliona të humbura dhe zemra të thyera.”