FBK dënon ashpër ofendimet ndaj shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Rumani: Tribunat s’janë vend për urrejtje!
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të shëmtuara që ndodhën gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2027 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku një pjesë e tifozëve maqedonas përdorën gjuhë fyese dhe nënçmuese ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë zyrtare, FBK ka shprehur shqetësim të thellë për përdorimin e gjuhës ofenduese, duke theksuar se këto sjellje nuk kanë vend në sport, e aq më pak në ambientet e një ndeshjeje basketbolli që duhet të jetë festë e bashkimit dhe respektit.
“Ofendimet e tilla nuk përfaqësojnë as vlerat sportive, as ato njerëzore. Kjo sjellje është e papranueshme dhe duhet të dënohet me vendosmëri,” thuhet ndër të tjera në reagimin e FBK.
Federata u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të marrin masa konkrete ndaj atyre që nxisin urrejtje në tribuna, duke theksuar se basketbolli duhet të jetë simbol i solidaritetit, jo urrejtjes.
Ky incident vjen si një kujtesë e hidhur se sporti nuk është imunitar ndaj gjuhës së urrejtjes, ndaj kërkohet vigjilencë dhe reagim i shpejtë për të ruajtur integritetin dhe dinjitetin e ngjarjeve sportive.