Ferrari në qendër të polemikave pas Çmimit të Madh të Hungarisë, dyshime për ligjshmërinë e makinës së Leclerc
Te Ferrari nuk po mbarojnë telashet. Pas një gare të trazuar në Hungari, ku Charles Leclerc e nisi nga “pole position” dhe përfundoi i katërti, ekipi italian ndodhet sërish në qendër të një polemike serioze. Këtë herë, dyshimet lidhen me ligjshmërinë e makinës së Leclerc, pas akuzave të ngritura nga piloti i Mercedesit, George Russell, i cili përfundoi i treti në podium.
“Kur pashë sa ngadalë po ecte Leclerc, mendova se diçka nuk ishte në rregull,” tha Russell për mediet, duke shtuar më tej: “E vetmja gjë që mund të mendoj është se makina ishte shumë pranë asfaltit dhe u desh të rrisnin presionin në goma.” Këto deklarata kanë ndezur alarmin në Maranello, sidomos për shkak të precedentëve të ngjashëm në këtë sezon.
Është e rëndësishme të kujtohet se më herët në Kinë, të dyja makinat Ferrari ishin skualifikuar për çështje që lidhen me trashësinë e pllakës së dyshemesë, e cila sipas rregullores nuk duhet të jetë më e hollë se 10 milimetra. Nëse makina është shumë pranë tokës, dyshemeja konsumohet më shpejt dhe rritja e presionit të gomave mund të jetë një mënyrë për të shmangur penalizimin.
Vetë Leclerc nuk e fshehu zhgënjimin, duke thënë në radio: “Është jashtëzakonisht zhgënjyese. Kemi humbur të gjithë konkurrueshmërinë... Nuk është e mundur të ngasësh kështu. Nuk është e mundur.” Komentet e tij lanë të hapur mundësinë që Ferrari të ketë përdorur konfigurime që bien ndesh me rregullat.
Russell gjithashtu sugjeroi se Ferrari mund të ketë përdorur një modalitet motori më të ngadaltë në pjesët e drejta, pikërisht aty ku pllaka e makinës konsumohet më shumë, për të shmangur problemet. “Nuk do të thotë që makina ishte e paligjshme, por po të shohësh të dhënat dhe kohët për xhiro, lindin shumë pikëpyetje,” përfundoi britaniku.
Për Ferrarin, kjo është një tjetër goditje në një sezon të trazuar. Pas ndryshimeve në sistemin e pezullimit për të përballuar vështirësitë e fillimsezonit dhe me rregullat e efektit tokësor që kërkojnë makinat të jenë sa më pranë asfaltit, çdo detaj teknik mund të sjellë pasoja të mëdha, jo vetëm në performancë, por edhe në imazh dhe rezultate.