VIDEO/ Çela: Kodi i Ri, produkt i inteligjencës artificiale, po kthehen nenet e diktaturës
Kodi i ri Penal ka ndezur sërish debatet mbi kufizimin e lirisë së shprehjes në Shqipëri, duke ngjallur shqetësime të forta tek gazetarët, komentuesit publikë dhe përfaqësues të opozitës.
Ish-drejtuesi lokal i Partisë Demokratike në Pogradec, Genti Çela, deklaroi në një intervistë për Syri TV se ky kod i ri rikujton nenin famëkeq 55 të agjitacion-propagandës së diktaturës, ku ndalohej kritika, ironia apo fyerja ndaj udhëheqjes së kohës.
Sipas Çelës, projektligji përmban nene qesharake që kanë shkaktuar tallje e hare publike, duke akuzuar hartuesit për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ekspertëve që ai i cilëson si të lidhur me institucione të rëndësishme si Magjistratura. Ai përmendi veçanërisht juristin Arben Rakipi, i cili njihet për një vendim të vitit 1991 ku dënoi personat që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës.
“Ky është një rikthim i rrezikshëm,” tha Çela, duke akuzuar mazhorancën se po përgatit një kod që mund të dënojë qytetarët me deri në tre vite burg vetëm për përdorimin e ironisë ndaj figurave publike, përfshirë edhe presidentin e Republikës, të cilin e quajti “më qesharaku që kemi pasur”.
Ai shtoi se përtej vjedhjes së votave, intimidimit dhe shpopullimit, mazhoranca nuk ka më vullnetin e lirë të qytetarëve, por mbështetet në një klikë mafioze që ka degjeneruar vendin, ku sipas tij, “1 milion shqiptarë kanë ikur në 10 vite”.
Çela:
Ky kod të kujton nenin 55 për agjitacion-propagandën ku të ndalohej të shaje, të fyeje, të përdorje ndonjë ironi ndaj udhëheqësve të asaj kohe, është aktualisht e njëjta gjë.
Përtej qesharakezimit që ka shkaktuar në nene të caktuara ky projektligj, ky kod penal, ku në fakt ndoshta nuk është vendi për t’i përmendur por ka nene të caktuara që të shkaktojnë gaz edhe hare, tallje.
Me siguri është përdorur për të formuar një kod të ri penal, inteligjencë artificiale, sipas tërë gjithë ekspertëve të gjuhësisë apo të ligjit, por në bashkëpunim me këtë inteligjencë, janë përdorur edhe ekspertë por e quajmë kështu të cilet në fakt drejtojnë dhe institucione shumë të rëndësishme të prodhimit të juristëve të rinj siç është Magjistratura dhe siç është në këtë rast zoti Arben Rakipi, ish-prokuror dhe në fakt jurist i cili njihet për një dënim, që ka dënuar në 1991, personat që kanë rrëzuar bustin e diktatorit Enver Hoxha.
Sot në vitin 2025 përpilon të njëjtin kod penal që nëse shan dikush apo përdor ndonjë lloj ironie ndaj qeverisë apo ndonjë personazhi po aq qesharak siç është presidenti më qesharak që kemi pasur, zoti Begaj në këtë rast do të përballet me dënim deri në 3 vite burg.
Unë jam i bindur që përtej vjedhjes së votave, përtej intimidimit, përtej shpopullimit, ata e dinë që vullnetin e lirë të shqiptarëve, nuk e kanë, nuk do e kenë, kanë vetëm mbështetjen klienteliste të një klike mafioze dhe saktësisht mafioze që ka degjeneruar Shqipërinë në një vend ku 1 milion shqiptarë kanë ikur për 10 vite.