SYRI TV/ Berisha në SPAK, zbaton masën ‘detyrim paraqitje’: Dumani u bën presion gjyqtarëve

Lideri i opozitës Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK për të zbatuar masën "detyrim paraqitje" të vendosur ndaj tij. Në një prononcim për gazetarët pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha denoncoi kapjen dhe presionin që po i bëhet Gjykatës Kushtetuese nga SPAK për të marrë vendime sipas deklaratave të Altin Dumanit "Afermendsh". Ky qëndrim vjen pas kërkesës që proceset në këtë gjykatë të gjykohen nga trupa gjyqësore jashtë GJKKO. Berisha paralajmëroi se do ta çojë këtë çështje në Strasburg.

Për të ilustruar denoncimin e tij, Berisha solli rastet konkrete të presioneve të drejtpërdrejta nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ndaj gjyqtarëve. Krydemokrati akuzoi më tej Dumanin se mashtroi shqiptarët sa i takon vendimmarrjes së Strasburgut për rastin e Thoma Gëllcit.

Po kështu, Berisha denoncoi nga SPAK edhe mbrojtjen që Dumani po i bën gjyqtares Irena Gjoka, duke e akuzuar kreun e SPAK-ut si mercenar të Edi Ramës. Berisha denoncoi edhe vizitën që ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i ka bërë në qeli kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për ta kërcënuar.

Denoncimin lideri i opozitës e bëri teksa komentoi raportet e Avokatisë së Popullit për trajtimin e ish-presidentit Meta dhe Erion Veliajt në burg. Sipas Berishës, Meta po mbahet në qeli pa asnjë provë, teksa e cilësoi sjelljen e administratës së burgjeve ndaj tyre si të papranueshme.