Presidentja e Kosovës, Osmani dënon thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë: Të papranueshme dhe të dëmshme për bashkëjetesën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas thirrjeve anti-shqiptare që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje sportive në Kumanovë, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të dëmshme për frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Në një deklaratë për mediat, Osmani theksoi se këto thirrje përbëjnë një sulm ndaj vlerave demokratike dhe synimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut. “Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre, dhe ata meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër,” u shpreh ajo.

Presidentja e Kosovës kritikoi gjithashtu heshtjen e autoriteteve në Shkup, duke e konsideruar mosreagimin e tyre si një faktor që nxit retorika përçarëse dhe dëmton harmoninë ndëretnike në vend.

“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane,” theksoi Osmani.

“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, u shpreh Osmani më tej.