Gakpo flet për vështirësitë që po kalojnë te Liverpooli pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës

Cody Gakpo ka folur për vështirësitë që po kalojnë te Liverpooli që nga tragjedia me humbjen e bashkëlojtarit të tij, Diogo Jota, i cili ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare.

Ylli i Portugalisë, Jota, dhe vëllai i tij Andre Silva humbën jetën në një aksident automobilistik më 3 korrik.

Lajmi për vdekjen e Jotës shkaktoi një reagim të madh emocional, me homazhe që erdhën nga e gjithë bota.

“Po, ka qenë shumë e vështirë. Shumë prej nesh ishin ende në pushime kur ndodhi kjo ngjarje. U mblodhëm si skuadër dhe si klub sa më shpejt që mundëm. U përpoqëm të jemi pranë familjes sa më shumë që mundëm në ato momente dhe bashkë si ekip të ndihmonim kudo që mundëm.

Vazhdojmë ta bëjmë këtë, dhe secili është i angazhuar më shumë pas skenave sesa në publik, duke u lidhur dhe ndihmuar sa më shumë që mundet”, ka thënë Gakpo fillimisht.

Gakpo ishte me pushime kur ndodhi vdekja e Jotës, por ishte ndër ata që morën pjesë në funeralin emocional në Gondomar dhe vizituan një vend përkujtimor jashtë stadiumit “Anfield”.

“Shpresoj që familja e Diogos ndjeu dashurinë që ne kemi për ta, për Diogon dhe vëllain e tij. Mund të shihje se si përpiqemi të veprojmë si klub dhe ekip, edhe tifozët, qyteti i tërë, çdo dashamirës futbolli, si Liverpool, ne përpiqemi të jemi një familje e vërtetë”, përfundoi ai.